Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e kësaj të premte në qytetin e Korçës, në lagjen nr. 16, ku një 30-vjeçar u dhunua barbarisht nga katër persona. Policia e këtij qyteti më herët bëri me dije se shtetasit, Spartak Selima, Kristi Selima, Marsel Xhakollari dhe Erjon Guri, janë shpallur në kërkim pasi goditën me sende të forta 30-vjeçarin , Ramadan Hasanin, i cili ndodhet në spitalin e qytetit ku dhe po merr mjekimin e nevojshëm.
Sipas informacioneve të bëra me dije deri më tani mësohet se konflikti ka nisur që në datën 14 shkurt. Ka qenë Ramadan Hasani dhe vëllai i tij që kanë rrahur Spartak Selimën dhe më pas ditën e sotme Selima së bashku me një familjar dhe dy shokë kanë gjetur Ramadan Hasanin dhe e kanë sulmuar me leva hekuri dhe shkopinj.
Nga kamerat e lavazhit, ku dhe ndodhi ngjarja, shihen momentet ku 4 autorët vrapojnë për të kapur 30-vjeçarin. Më pas me shkopa dhe leva hekuri ata e godasin atë brenda ambienteve të servisit.
Pavarësisht se aty ndodhen disa burra, askush prej tyre nuk ndërhyn që t’ i ndalojë këta shtetas.