15/05/2024
Kosovë Lajme

Vuçiç kërcënon publikisht Kosovën, PAMJET: Njësi të ushtrisë serbe shfaqen në kufi

    Kryeministri Albin Kurti ka ndarë disa pamje ajrore të siguruara nga inteligjenca e Kosovës, të cilat tregojnë sipas tij njësi të ushtrisë serbe duke kryer stërvitje të rregullta pranë kufirit, me qëllim nxitjen e provokimeve.

    Sipas tij, këto lëvizje vijnë ditë pasi presidenti Aleksandër Vuçiç kërcënoi publikisht Kosovën me frazën “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar.”

    “Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, shkruan Kurti.

    Teksa ndan pamjet e ushtarëve serbë, kryeministri i Kosovës thekson se autoritetet janë duke vëzhguar me kujdes nëse ata do të kalojnë kufirin, afrimi i mjeteve të Forcave të Armatosura nuk është normal.

    “Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën. Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, vijon ai.