26/07/2024
Shqipëri

Ishte në ballkon me prindërit, 3-vjeçarja bie nga kati i shtatë i pallatit

    Një ngjarje e rëndë raportohet mbrëmjen e kësaj të marte në Durrës. Një vajzë 3 vjeçare ka rënë aksidentalisht nga ballkoni i apartamentit, në katin e shtatë dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

    Policia e qytetit bregdetar bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.07 në lagjen nr. 13 të Durrësit.

    Grupi hetimor po punon për sqarimin dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të ngjarjes, ndërsa paraprakisht bëhet me dije se e mitura ishte duke qëndruar në ballkonin e apartamentit bashkë me dy prindërit e vetë dhe ka rënë aksidentalisht.

    “Rreth orës 20:07, në lagjen nr. 13, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i apartamentit në kat të shtatë, ku ishte së bashku me prindërit e saj, një 3-vjeçare.

    Si pasojë e dëmtimeve të marra, e mitura po merr ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Durrësit dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor po punon për sqarimin dhe dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia e Durrësit.