02/05/2024
Shqipëri

“250 mijë Lekë dua unë”, infermieri lë ambulancën dhe bën kurse patente

    Drejtuesi i Kujdesit Shëndetësor Fier, Arbër Arapi, është shkarkuar nga detyra, pas transmetimit të emisionit “Stop”.

    Në kohën e punës, kur ai duhet të ishte në detyrë, pacientja e infiltruar e emisionit Stop lidhet me doktor Arbrin, i cili punon në klinikën dentare Esel, në Tiranë.

    Por skandali shtrihet edhe më gjerë.

    Pas këtij rasti, në redaksinë e emisionit “Stop” ka ardhur një informacion, sipas të cilit, infermieri i ambulancës së Kreshpanit, Artur Yzeiri, abuzon me detyrën, duke bërë kurse për patentë në orarin e punës, e duke lënë banorët pa shërbim.

    Në fillim “Stop” u ndal tek ambulanca, ku nuk ndodhej askush.

    Stopi: S’paska njeri fare këtu. Ka njeri këtu?

    Banori: Tek ambulanca aty?

    Stopi: E!

    Banori: Pse s’është Turi këtu?

    Stopi: Kush?

    Banori: Ai, që është infermier këtu.

    Stopi: Jo!

    Banori: Janë dy aty. Nuk është asnjeri? Është edhe ajo Rita.

    Menduam, se infermier Turin, do ta gjenim në qendrën shëndetësore të Cakranit, por as aty nuk ishte.

    Stopi: Vetëm Klodi është?

    Punonjësja: Vetëm Klodi.

    Stopi: Po ky Turi nuk është?

    Punonjësja: Kush?

    Stopi: Turi!

    Punonjësja: Nuk është këtu ai, është në Kreshpan.

    Stopi: Nuk e dua me kamio automatike,

    Artur Yzeiri, infermier: Me manual i kemi makinat. Po, pa problem.

    Gazetari: Alo përshëndetje si je?

    Artur Yzeiri: Mirë, si kalove ti?

    Gazetari: Po flas me zotin Artur?

    Artur Yzeiri: Po!

    Gazetari: Zoti Artur unë jam Andrelini gazetar i emisionit “Stop”. Rastisi që erdhëm në Kreshpan dhe nuk di kujt t’i drejtohem se unë e gjej mbyllur këtë. Keni një mjek, je ti? Je mjek apo infermier?

    Artur Yzeiri: Unë jam infermier.

    Gazetari: Besoj jeni afër, apo jeni në shërbim nëpër fshatra siç bëjnë infermierët zakonisht?

    Artur Yzeiri: Unë jam nëpër fshatra, se unë mbuloj fshatin Kreshpan dhe jemi në shërbim në të gjithë fshatin.

    Gazetari: Besoj je larg, të paktën të shikoj pak sesi e menaxhoni, kjo është ideja. Vjen dot për shembull për 20 minuta?

    Artur Yzeiri: Aktualisht nuk mund të vij, se jam në një kështu… Më vonë po, tani jo.

    “Stop” foli me infermier, apo instruktor Turin, i cili na la takim në Fier, për të folur për kursin e patentës.

    Pasi të bën guidë, Turi të udhëzon edhe për dokumentet, që duhen plotësuar, për të marrë patentën. Për këto shërbime ai merr 250 mijë Lekë të vjetra.

    Stopi: Kam nusen, që do të bëjë kursin e patentës.

    Artur Yzeiri, infermier: Duhen mjekësoret, o vëlla.

    Stopi: Ça duhet?

    Artur Yzeiri, infermier: Te mjeku i familjes, sy e veshë. Je në Fier të takohemi?

    Stopi: Rreth ça ore?

    Artur Yzeiri, infermier: Besoj rreth orës 13:30-14:00! Varet, se kam edhe pak punë unë, se me këto po merrem, me praktikat. E mirë, në rregull.

    Stopi: Nuk e dua me kamio automatike!

    Artur Yzeiri, infermier: Me manual i kemi makinat. Po, pa problem.

    Stopi: Patentën e nuses!

    Artur Yzeiri, infermier: Ore, kush ta dha numrin tim?

    Stopi: Të gjithë në Shqipëri këtë problem keni ju, “kush ta dha numrin?”

    Artur Yzeiri, infermier: Te doktoresha e lagjes, një formular patente, e dinë vetë ata, pam-pam-pam, e mbushin. Ta marrë, të bëjë dy fotografi diku këtu!

    Stopi: Sa Lekë kushton, o vëlla?

    Artur Yzeiri, infermier: 250 mijë Lekë dua unë!

    Stopi: 250 mijë lekë! Kur i do lekët?

    Artur Yzeiri, infermier: Kur të regjistrohet, ose gjysma tani, gjysmat në vazhdim, nuk është problem!

    Stopi: Ku e ke (autoshkollën)?

    Artur Yzeiri, infermier: Te Shkolla e Muzikës, ja!

    Stopi: Mirë pra, kështu e lëmë. Mirupafshim!/