27/07/2024
Kosovë Lajme

Vëllai i Liridonës takon nipat pas 3 muajsh: Daja duam t’i çojmë mamit lule te varri

    Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt e cila u vra me kërkesë të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, ka takuar së fundmi dy nipërit e tij.

    Pas shumë muajsh, Leonardi ka udhëtuar drejt Suedisë, ku dy nipërit Dioni dhe Diari jetojnë dhe janë nën kujdesin e shërbimeve sociale të atij vendit, ku dhe i përmalluar ka takuar dy vogëlushit që e motra i la pas.

    Këtë moment, ai e ka ndarë dhe në  rrjetet sociale ku dhe ka treguar dhe kërkesën që dy nipërit i kishin shprehur. Ata i kanë kërkuar dajës së tyre që të shkojnë në Kosovë dhe të vendosin lule te varri i nënës së tyre.

    “Sot i takova nipat Dionin dhe Diarin, fëmijët e Liridonës tonë, pas disa muajsh dhe pas një ngjarje tragjike që do t’i përcjellë tërë jetën.

    U përqafuam gjatë. Ata e patën vetëm një kërkesë: a mundemi me ardhë në Kosovë me dërgu lule te varri i nanes?  Falenderojmë shërbimet sociale në Suedi për kujdesin profesional”, shkruan ai.

    Kujtojmë se 30-vjeçarja Liridona Ademaj, u ekzekutua me plumb në kokë mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të kaluar.  Ajo u vra me urdhër të bashkëshortit të saj, para syve të dy fëmijëve, Dionit dhe Diarit. Dy të vegjlit që prej aso kohe janë marrë nën kujdes të autoriteve suedeze, pasi janë shtetas të atij vendi, ndërsa lidhur me këtë ngjarje Policia e Kosovës ka vënë në pranga 4 persona.

    I dyshuari kryesor është ish bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, i cili ndodhet në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

    Leonard Ademaj me dy nipat