09/05/2024
Lajme Shqipëri

Arrestohet kryebashkiaku! (EMRI)

    Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro, është arrestuar këtë të shtunë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, (SPAK). Burime për mediat bëjnë me dije se përveç kryetarit të Bashkisë janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, tre prej të cilëve janë lënë me masën “arrest shtëpie”.

    Sipas informacioneve paraprake mësohet se arrestimi i tij ka ardhur pas kallëzimit të bërë nga ana e Fredi Belerit, i cili e akuzoi për “shpërdorim detyre”, lidhur me shkeljen e  procedurave ligjore për dhënien e lejes për Artan Gaçin.

    Jorgo Goro aktualisht mban detyrën si Kryetar i Bashkisë së Himarës, pasi kryetari i zgjedhur më 14 Maj, Fredi Beleri, ndodhet në qeli nën akuzën për shit-blerje votash.

    Kujtojmë se Jorgo Goro është paraqitur disa herë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili aktualisht ndodhet në qeli ka kallëzuar penalisht Goron, se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

    Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme po heton Goron për shkeljen e barazisë në tendera.  Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentoi disa dyshime në lidhje me shkeljen e barazisë në tendera por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës kur Jorgo Goro mbante postin dhe mandatin e tretë të kryebashkikakut të Himarës.

    Lidhur me arrestimin e kryetarit të Bashkisë në detyrë të Himarës ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Përmes një postimi në “X”, Bardhi e cilëson arrestimin e Goros si një lajm të mirë i cili duhet të shoqërohet me arrestime të tjera.

    “Arrestimi i Jorgo Gorës është një lajm i mirë, që duhet të shoqërohet me arrestime edhe të bashkëpunëtorëve zë Edi Ramës, që në shkelje të ligjit kanë përfituar prej tij statusin e investitorëve strategjik. KM duhet me urgjencë të urdhëroj shkarkimim e tij nga detyra”, shkruan Bardhi.