03/05/2024
Maqedoni

Zyrtarizohet Fronti Evropian/ BDI dhe Lëvizja “Populli” nënshkruajnë marrëveshje!

    Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja Populli zyrtarizuan sot koalicionin parazgjedhor Fronti Evropian.

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha se, këto zgjedhje janë moment historik për vendin, ku do të përcaktohet ardhmëria e tij, duke përsëritur shqetësimin e tij për rritjen e ndikimit rus në vend.

    Në këtë kontekst ai tha se, eurointegrimet janë alternativa e vetme dhe vendi duhet ta vazhdojë këtë proces.

    “Më 24 prill kemi jo zgjedhje, referendum – a do të ecim përpara apo do të ngecim në vend numëro. Më 8 maj vendoset gjithashtu, përsëritje e këtij referendumi – a do të ecim përpara apo do të qëndrojmë në vend numëro. E rëndësishme është për ne dukshëm, padyshim këtë referendum ta fitojmë”, tha Ali Ahmeti.

    Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi, tha se i është bashkuar Frontit Evropian, për të luftuar korrupsioni, për të bërë veting në gjyqësor si dhe për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

    “Ky front evropian do të jetë bartës i ndryshimeve, i përmirësimit të jetës, standardeve tona jetësore. Po ky front evropian, do të jetë një sihariq i mirë se ne, megjithatë, shoqëria jonë në përgjithësi pa dallime etnike do të jetë në një rrugëtim të mirë dhe padyshim në rrugëtimin evropian, atë që e kemi zgjedhë ne së bashku”, tha Skender Rexhepi.

    I pyetur nëse këtij koalicioni do t’i bashkangjiten edhe subjekte të tjera politike, Ahmeti tha se tash më po zhvillohen bisedime me të gjitha partitë.

    “Jemi duke biseduar me të gjithë, edhe me Aleancën edhe me zotërinë Thaçi, edhe me zotërinë Arjanit Hoxha edhe me parti turke, parti boshnjake, parti rome, që t’i bashkangjiten këtij fronti”, tha Ahmeti.

    Kujtojmë se, Aleanca për Shqiptarët që përkrah Zijadin Selën deri më tash nuk është deklaruar nëse do t`i bashkangjiten këtij fronti, duke thënë se vendimi i tyre është që në zgjedhje të garojnë vetë.

    Ndërkohë, Fronti Evropian në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, sa i përket bllokut politik shqiptarë, do të zhvillojë garën kundër koalicionit opozitar shqiptar – VLEN