06/05/2024
Lajme Maqedoni

Ushtarët e plagosur të Ukrainës do të shërohen në RMV?

    Në samitin e shkurtit në Tiranë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy mes tjerash ka biseduar me kolegun e tij maqedonas Stevo Pendarovski për mundësinë që ushtarët dhe fëmijët ukrainas të rehabilitohen në Maqedoni sipas shembullit të Kroacisë. Pendarovski e pranoi idenë në parim.

    “Ideja është parimisht e pranueshme për ne, ndërkohë që kërkohet një përpunim specifik i detajeve, që do të jetë përgjegjësi e qeverive të vendeve që do të shprehin pëlqimin për të marrë pjesë në këtë program”, njoftuan nga kabineti i presidentit Pendarovski për Radion Evropa e Lirë.

    Ata për Radion Evropa e Lirë kanë sqaruar se është propozim fillestar i kryeministrit të Kroacisë dhe presidentit të Malit të Zi, duke pasur parasysh se ato dy vende tashmë kanë përvojë dhe kapacitete për rehabilitim e pjesëmarrësve në aksionet ushtarake të viteve të 90-ta, transmeton Lideri.mk.

    Kroacia u kujdes për ukrainasit e plagosur në vitin 2023.

    Propozimi i Zelenskit pasoi pasi Kroacia në vitin 2023, me vendim të qeverisë, priti ukrainas të plagosur dhe u kujdes për ta në objektet e saj shëndetësore.