26/07/2024
Lajme Shqipëri

Ja çfarë konsumoi për drekë Volodymyr Zelensky, vera shqiptare i pëlqeu shumë

    Pas përfundimit të Samitit Ukrainë-Europë Juglindore në Tiranë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri Edi Rama, presidentja Vjosa Osmani dhe liderët e tjerë që ishin të pranishëm sot në Pallatin e Kongreseve drekuan në restorantin e njohur në kryeqytet “Padam”.

    Shefi i restorantit, Fundim Gjepali, ka treguar se çfarë iu serviri liderëve, duke bërë me dije se ajo që i ofroi ishte një menu e lehtë, me gjëra shumë të freskëta, duke theksuar se vera shqiptare i pëlqeu shumë.

    “Në ato momente nuk u lejonin as gazetarë, as fotografë, as video. Ishte shumë e rezervuar si drekë. Unë kisha një menu degustimi shumë të shkurtër. Pjata e parë ishte një kapaço viçi gjys e pjekur dhe pak e tymosur me perime dhe një salcë me djathë. Pjata e dytë ishte një shkurtëz kremozur me qiqra dhe një salcë me paprika. Pjata e tretë ishte një rizoto me qingj dhe shafranin e Dumresë. Pjata kryesore ishte një fileto viçi me tartuf vendi dhe një salcë me kakao. Ëmbëlsira ishte një musë me lajthi dhe oriz të thekruar. Vera ishte një verë shqiptare. I pëlqeu shumë, ishte një eksperiencë shumë e mirë për mua që pritëm një personazh të nivelit kaq të lartë”, tha ai, teksa më tej zbuloi se në fund të drekës, presidenti ukrainas shkoi e falënderoi.

    “Shkoi shumë mirë, Presidenti më komplimentoi në fund të drekës, shkova e përshëndeta”, shtoi shefi, duke shtuar se kjo drekë u zhvillua në kushtet e sigurisë shumë të larta, ku para se lideri ukrainas të shkonte u kontrolluan të gjitha cepat e restorantit “Padam”.

    Ndër të tjera, shefi Gjepali në “Opinion” tha se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, nuk mori pjesë në drekë, pavarësisht se emri i tij ishte në listë.