20/04/2024
Kosovë Lajme

“Më gjetën duke u larë dhe më përdhunuan në grup. Iu luta të më vrisnin! Nuk e bënë pasi donin të…”, gruaja kosovare rrëfen tmerret e serbëve

    Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme rastet e përdhunimeve në Kosovë nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës në vitin 1999. Përmes dëshmive të dy prej protagonistëve të rasteve të tilla, rrëfehen tmerret që përjetuan jo vetëm gratë por edhe burrat.

    Pjesë nga dokumentari:

    Shpresa, emri ynë redaksional, është një tjetër viktimë e dhunës serbe, gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ajo ishte duke punuar në një lokal, pranë banesës, kur forcat serbe u futën në vendin e saj të punës dhe e sulmuan seksualisht.

    Si një film horror që i kalon edhe sot para syve, ajo e ka të pamundur të fshijë nga kujtesa ato momente të tmerrshme. “Për të rrëfyer jetën time është tmerr. Gjurma më e madhe e asaj që më ka ndodhur në luftë është që ajo nuk harrohet kurrë. Unë kam qenë në një lokal aty, pastroja… Ka hyrë policia. Dy kanë ndenjur jashtë, dy kanë hyrë dhe kanë bërë atë çfarë nuk i bëhet një njeriu, një femre”, u shpreh ajo.  Ajo çfarë ndodhi ishte e papërshkrueshme për të. Por ajo që do të vinte, si do të kujdesej ajo ta mbante këtë dramë brenda vetes, si do ta shikonin tani e tutje njerëzit e familjes, apo shoqëria, ishte një mundim më i madh për të.  Të parit që ajo i tregoi mbi atë çfarë kishte ndodhur, ishte bashkëshorti. Ndërsa ata që e mësuan më pas ishin edhe vajza e saj, si edhe një shok i bashkëshortit. Por askush tjetër, përveç tyre… Sulmi i forcave paramilitare serbe nuk ishte vetëm seksual, por edhe i dhunshëm fizik. Ajo kujton se u dhunua duke iu mbajtur automatiku në kokë. Ndërsa të pranishmit e tjerë në atë moment, nuk kishin se si ta ndihmonin për ti ardhur në ndihmë.

    “Kam bërtitur po s’ka pasur ndihmë aty. Ata i kanë nxjerrë jashtë dhe i kanë rrahur dhe ata që kanë qenë aty. Çfarë s’kanë bërë aty”, thotë Shpresa.

    Shumë nga gratë e përdhunuara, qoftë edhe nga turpi, janë lutur më mirë të vriten se sa të jenë gjallë. Po për dhunuesit serbë dhe mendjet e tyre diabolike, për ta, këto gra kanë qenë më shumë të vlefshme të gjalla, se sa të vdekura, si një formë mesazhi publik, për tua treguar të tjerëve.

    “Shumica e grave kur vijnë në organizatë thonë se i kanë lutur dhunuesit që t’i vrasin. Shumica e tyre thonë që vdekja ka qenë zgjidhja e vetme. Por ata nuk i kanë vrarë me qëllim që kjo plagë e luftës të mos mundet të ndikojë vetëm te viktima si person, por edhe gjeneratat ndër breza”, thotë mjekja Rushiti. Shpresa rrëfen më tej se historinë e saj tragjike, e ndau me shokun e bashkëshortit të saj, vetëm sepse ai mund ta kuptonte, ndryshe nga të gjithë.  Kjo pasi ai kishte qenë luftëtar me UÇK-në dhe i njihte krimet serbe në Kosovë, qofshin edhe të këtij lloji.

     “Këtë histori e kam ndarë vetëm me atë shokun e burrit. E kam ndarë sepse ai ka qenë pjesëtar i UÇK, goxha i madh. Ai më shikonte gjithmonë si të shtangur dhe më thoshte, çfarë ke. Unë një ditë i thashë, po tregoj diçka, por të lutem mos i trego askujt. Tha betohem në fëmijët e mi që nuk i tregoj askujt”, shprehet shpresa.

     Krimet seksuale në Kosovë ndaj grave thuhet se kanë qenë monstruoze. Ku shpesh viktimat janë përdhunuar edhe në grup, nga ushtarët dhe policët serbë.

    “Forcat paramilitare serbe i kanë detyruar këto viktima t’u shërbejnë, të këndojnë për ata, u kanë urinuar, u kanë vizatuar shenja të ndryshme. për me ua lënë tërë jetën në trupin e tyre. Pastaj krimi ka ndodhur dhe në prezencë të familjarëve. Është e dhimbshme të kuptosh kur present gjatë këtij krimi ka qenë edhe prindi ose bashkëshorti, gruaja apo fëmija që është dhunuar prej katër apo pesë vetësh. Ka edhe histori se si një grua e vetme është dhunuar prej mbi 20 vetave”, thotë Feride Rushiti. Për Shpresën, ai moment i abuzimit ndaj saj, fle dhe zgjohet me të, edhe sot. Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ajo ngjarje. Shpesh ajo thotë se çohet nga gjumi e trembur. Aq sa tregon se si reminishencë e së kaluarës së hidhur që ka përjetuar, ka frikë nga çdo unformë policie që shikon, pavarësisht se kohët sot kanë ndryshuar, dhe në Kosovë nuk sundon më ushtria dhe policia serbe, por ajo kosovare.

    “Më kap kur fle më së shumti, çohem edhe trembem, qaj. Më kujtohet më së shumti natën. Dhe kur dal në qytet që shoh policë dhe ata më trembin se më duken si paramilitarë serbë. Si një paranojë. Natën, çohem dhe djali ka raste që më thotë: ‘Çfarë ke, pse çohesh kështu’”, rrëfen ajoShumë gra shqiptare në Kosovë, janë ende në kërkim të së drejtës së tyre. Pavarësisht se koha ka bërë punën e saj, shumë plagë të tjera duket se janë më prioritare për qeverinë e Kosovës, në raport me krimet e luftës. Siç janë edhe të zhdukurit, të cilët shumë prej tyre nuk janë gjendur. Ndërsa krimet seksuale kanë mbetur në vijë të dytë apo të tretë të kërkesave për hetim.

    “Ku ta kërkoj atë të drejtë unë, kur ata njerëz nuk i kam njohur. Te kush të drejtohem?! Ajo luftë ka qenë. S’më ka ndodhur veç mua po mijëra grave. Drejtimi im ka qenë vetëm që t’i thosha atij shokut të burrit. Askujt tjetër”, shprehet më tej.

    Mjekja Feride Rushiti thotë se pavarësisht bindjes së arsyeshme të viktimave të krimeve seksuale serbe, se drejtësia nuk do të vihet një ditë në vendin e duhur, puna e organizatës së saj për të denoncuar rastet dhe vendosur para përgjegjësisë këta persona, ka vazhduar. Por stepja nga ana e viktimave për ta vazhduar deri në fund luftën e tyre për drejtësi, është gjithsesi aty e pranishme.

    “Kërkesa për drejtësi ka qenë që nga fillimi, kur gratë dhe burrat shprehnin gadishmëri mendore për përvojat e tyre traumatike qoftë në periudhën kur Kosova është administruar nga OKB, UMNIKU apo dhe nga EULEX. Fatkeqësisht në periudha të tilla kohore, gratë dhe burrat nuk kanë gjetur një mirëkuptim. Dmth nuk ka pasur një qasje sensistive dhe shumë herë kanë mbetur të painformuar se çfarë ka ndodhur me krejt dëshmitë që i kanë deponuar në UMNIK qoftë në EULEX”, thotë mjekja.

    Por ndërsa duket se koha e gjatë dhe drejtësia e munguar i kanë lënë vend dëshpërimit, duket se ka edhe raste kur agresorët janë vënë para ligjit. I tillë është rasti i rezervistit serb Zoran Vukotiç, i cili u dënua në vitin 2023 nga Gjykata Themelore e Prishtinës në Kosovë me 13 vite burgim, pasi u gjet fajtor për përdhunimin e një të reje gjatë luftës, duke shënuar kësisoj rastin e parë të një serbi që dënohej për një krim të tillë në Kosovë,  të cilin e çoi pas hekurave, rrëfimi tronditës i një gruaje, e cila në momentin që u dhunua seksualisht nga Vukotiç, ishte 3 muajshe shtatzënë.

    Ndërsa si shkak i gjendjes së rëndë, ajo abortoi në muajin e shtatë, duke i humbur dy fëmijët e saj. “Tani janë 5 aktakuza të ngritura. Është rasti i parë dhe i vetëm në vitin e kaluar që njihet tanimë si ai i Zoran Vukotiç…që ka marrë një dënim me 13 vite burgim për veprën e dhunës seksuale të luftës.

    Çfarë i pengon është stigmatizimi, në qoftë se nuk kanë përkrahje nga familja, është një proces që është mjaft i gjatë, kërkon përkrahje familjare, institucionale, nga organizatat.  Si të tilla shumë herë hezitojnë për t’i hyrë procesit”, shprehet mjekja.  Për mjeken Rushiti, në punën e saj, histori tronditëse të dhunës seksuale, janë edhe ato të fëmijëve. Fëmijë të abuzuar seksualisht, të cilët iu deshën të përballen me rritjen e tyre, me të vërtetën, se çfarë kishte ndodhur me ta.

    Ku nuk kanë munguar edhe rastet e rënda me pasojë vdekjen. Por edhe ato kur viktima të dhunës seksuale kanë qenë mosha të treta. Ndërsa në qendrën e saj, sot marrin ndihmë psikologjike he trajtime të tjera ligjore, 700 viktima të dhunës seksuale.

    “Në organizatën tonë vijnë rreth 700 të mbijetuar të dhunës sekuale që përfitojnë shërbimet psikologjike, shëndetësore, juridike. Po natyrisht për neve ka qenë shumë e dhimbshme kur janë prekur fëmijët, moshat e reja që s’kanë qenë në dijeni se çfarë po ndodh me trupin e tyre të pafajshëm. Se në atë periudhë kohore një vajzë 7 vjeçe, 9 vjeçe të prekej dhe të dhunohej nuk ka ditur as çfarë u ka ndodhur dhe fatkeqësia është dhe më e madhe kur trupi i saj është abuzuar në atë lloj mënyre dhe ajo është rritur pa e kuptuar se çfarë ka ndodhur me të dhe e ka arritur ta kuptojë vetëm kur ka ardhur momenti i martesës, kur pastaj  familja ka ndërmjetësuar dhe i ka treguar që kështu i ka ndodhur. Është dashur t’i tregojë burrit në mënyrë që të arrinte të kishte një farë mirëkuptimi. Pra fëmijët mendoj që janë shumë të ndjeshëm dhe kemi pasur raste dhe kur ka humbur fatalisht jetën se s’ka arritur të përballojë dhunën jo njerëzore. Kemi një rast, të një fëmije i cili ka vdekur, i moshës 5 vjeç, ku ka dëshmuar nëna e tij. Ndërsa në organizatë rasti më i ri ka qenë një 7 dhe 9 vjeçar. Dhe mosha më ekstreme ka qenë 63 vjeçe”, deklaron mjekja.

    Po kështu nuk kanë munguar as rastet kur gratë dhe vajzat e përdhunuara kanë sjellë në jetë të padëshiruar. Por kjo është një temë ende e pahapur në Kosovë dhe që për shkak të ndjeshmërisë që provokon, do të mbetet e tillë, edhe për shumë kohë.

    “Shumë nga gratë që kanë lindur në rrethana lufte apo pas lufte, ose kanë pasur dëshirë t’i adoptojnë ata fëmijë sa më shpejt t’i largojnë prej tyre nga familja. Ose kemi pasur dhe raste kur ka përfunduar fatalisht, nuk ka ngelur gjallë. Ka disa gra që kanë fëmijë, po të cilat nuk kanë dëshirë të deklarohen dhe ne mundohemi gjithmonë të respektojmë integritetin dhe konfidencialitetin e tyre për faktin se lufta i mbart këto pasoja fatkeqësisht”, thotë ajo.  

    Mesazhi i Shpresës për këto gra dhe viktima të dhunës seksuale në Kosovë, nga forcat serbe, gjatë luftës, është të bëhen të forta për familjet e tyre. Dhe ti drejtohen institucioneve shtetërore për ti kallëzuar këto krime dhe ato të mos mbeten vetëm si legjenda urbane. “Mesazhi im është për to që të qëndrojnë të forta dhe mos ta bëjnë hapësirë të familjes, po ta mbajnë për vete, mos t’ia thonë askujt përveç institucioneve ligjore. Ky është mesazhi im”, shprehet Shpresa.

    Por nëse Shpresa pati guximi të paktën ti tregojë bashkëshortit të saj, vajzës por edhe të një njeriu që mund t’i besonte edhe jetën, Ilir duket se e ka të vështirë ta bëjë këtë zgjedhje. Ai ka menduar që këtë të vërtetë fëmijëve të tij, tua tregojë vetëm në çastet e fundit të ikjes nga kjo botë. Ndoshta duke menduar se vetëm kështu ata mund ta mirëkuptojnë. Për tu treguar se çfarë ishte ajo qetësi e munguar. Ajo shmangie nga bisedat me ta.

    “Po, minutin para se të vdes…10, 20 sekonda.,,, Atëherë i kisha thënë, me gjithë qejf; kjo ka qenë ajo që unë s’kam qenë i qetë ndonjëherë, kjo më ka ndodhur. Jam dhunuar dhe gjykomëni si të doni…. Jo kur jam gjallë se s’kisha mundur t’i shikoj në sy, si dhe një mashkull është dhunuar, si paske jetuar ti, si po ndodh dhe kjo.  Po minutin e fundit ju kisha thënë dhe fëmijëve i kisha përqafuar shumë…”