08/11/2024
Kosovë

Gërvalla: Kosova, në vitin 2030 në NATO dhe në BE

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, beson se deri në vitin 2030, Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe Aleancës Veriatlantike të NATO-s.

    Kështu tha ajo në pyetjen se ku e sheh Kosovën dhe rajonin në vitin 2030, në kuadër të konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor”, ku po diskutohet për përshkrimin e së ardhmes, drejtimet e politikave dhe angazhimin diplomatik.

    “Është shumë pyetje e vështirë kjo sepse nuk varet vetëm nga Kosova se ku do të gjendemi në vitin 2030. E di që deri në atë vit shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe projektimet tona më të mira mund të ndodhin deri atëherë. Për shembull duhet të kemi një gjuhë të qartë dhe pengesa për ata që e pengojnë rajonin tonë… pra të gjithë në çfarë mënyre, partnerët tanë, miqtë tanë që do të jenë të pranishëm në rajon duke dhënë sinjale të duhura që luftërat në të ardhmen nuk do të tolerohen, por për t’i parandaluar duhet të veprojmë me të tashmen, përndryshe do të jemi në të njëjtën pozitë sikurse në vitet 90’, dhe nëse nuk përdorim parandalimin, atëherë do të jemi tepër të zënë për të gjetur strategjitë e duhura për të përfunduar diçka që do të mund ta parandalonim lehtë po të kishte vullnet të mirë, analizë dhe persona të duhur. Në vitin 2030, në NATO dhe në BE”, tha ajo.