16/05/2024
Magazina Shqipëri

Nga Donaldi te Luizi e deri te Liam Osmani, precedentët me drejtësinë dhe heshtja e Top Channel

    Arrestimi i Liam Osmanit brenda Big Brother VIP Albania ishte kryefjalë e çdo medie në vend. Paraditen e së dielës, një nga konkurrentët e këtij reality show, detyroi operacionalen të “zbarkonte” në ambientet e “Top Channel” me fletë arresti në dorë. Një ngjarje që ka ngjallur reagim në vend, ku me siguri do të kalohet vetëm me “tre ditëshin” e famshëm.

    E teksa për Liamin kishte një urdhër arresti, për formatin televiziv që transmetohet në “Top Channel” nuk është hera e parë që flitet për problemet me drejtësinë të personazheve pjesëmarrës. Vetëm në tre vitet e fundit, ata kanë qenë subjekt i organeve legjislative në Shqipëri. Le t’i marrim me radhë.

    Në sezonin e parë të Big Brother VIP Albania, një nga konkurrentët më të spikatur ishte Donald Veshaj. Finalisti i këtij reality show u dënua me shërbim prove nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Vlorës për “plagosje të rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Por, vëllezërit Veshaj bënë rekurs në Gjykatën e Lartë.

    Në sezonin e dytë, kryefjalë dhe në “gojën” e gjithë shqiptarëve, ishte Luiz Ejlli. Këngëtari i njohur që u bë personazhi më i dashur kishte probleme me drejtësinë. Gjyqi i tij vijon të zvarritet ende, teksa akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “Mashtrimit përmes falsfikimit të dokumenteve”.

    E tashmë në sezonin e tretë, ishte Liam Osmani që i “vuri vulën” duke bërë që shprehja e “treta e vërteta” të marrë kuptim edhe për këtë reality show. Uniformat blu u futën brenda ambientit të “Top Channel” duke arrestuar banorin që kishte hyrë e dalë sipas qejfit në Republikën e Shqipërisë, ku për të kishte një vendim arrestim, por me shfaqjen e tij në ekran, erdhi edhe “shfaqja” e radhës për publikun shqiptar.

    Një emision kaq shumë i ndjekur, me njerëz të cilët japin padashur kohë nga jeta e tyre duke u përfshirë me personazhin e tyre të dashur, megjithatë mbi të gjitha me sa duket vlerë ka vetëm audienca. Natyrshëm lind pyetja: Kur hapen audicionet dhe bëhen ftesat për VIP-at e Shqipërisë, a kërkohet një dëshmi penaliteti për ta nga personat përgjegjës në Top Channel? Apo të qenit VIP të jep automatikisht imunitet dhe nuk ka ligj që të “kap”? A bëhen verifikime nëse kanë probleme apo jo me drejtësinë? Rregullat e këtij reality ta diktojnë ligjërisht një gjë të tillë. Ose më saktë në cdo punë apo instuticion është e domosdoshme deklarimi si shtetas i rregullt pa probleme me drejtësinë shqiptare.