12/05/2024
Lajme Maqedoni

Diaspora do të votojë vetëm për presidentin, s`ka interesim për zgjedhjet parlamentare!?

    Gjithsejt 2.954 qytetarë që jetojnë në diasporë janë paraqitur për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Prej tyre, sipas KSHZ-së, janë pranuar 2.610, kurse janë refuzuar 342 paraqitje.

    Numri mund të ndryshojë nëse Ministria e Jashtme, deri më 21 mars, konform afatit zgjedhor, dorëzon paraqitjet e shtetasve tanë që janë dorëzuar në përfaqësitë diplomatiko-konsulare.

    Megjithatë, më se e sigurtë është se diaspora do të votojë vetëm për zgjedhjet presidenciale për shkak se nuk ka numër të majftueshëm të kërkesave për zgjedhjet parlamentare.

    Më së shumti kërkesa të pranuar për të votuar ka në Gjermani – 578, Slloveni – 327, SHBA – 241, Zvicër – 182, Kanada – 122, Austri – 116, Itali – 101, Australi – 97 dhe në Belgjikë – 91.

    Nga KSHZ-ja kanë sqaruar se pavarësisht numrit të kërkesave për të votuar, do të ketë votime në diasporë për zgjedhjet presidenciale, por për ato parlamentare duhet të paraqiten së paku 5 votues nëpër vendvotime.

    Që të zgjidhet deputeti nga Njësia Zgjedhor 7, duhet të fitojë aq vota sikurse deputeti me më pak vota në territorin e vendit. Për këto zgjedhje kjo shifër është 5.355.