08/11/2024
Lajme Maqedoni

Arben Taravari në hall/ Mbetet pa bartës liste në zonën 5, askush nuk pranon aty ku kandidon vetë kreu i ASH-së, Ziadin Sela!

    Kandidati për President i koalicionit VLEN dhe ish-kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, ka zbuluar emrat e bartësve të listave të deputetëve të cilët do të dalin nga ky koalicion.

    Njëjtë si dhe bëri me dije ish-kreu i ASH-së, bartës të listave nëpër qarqe do të jenë të gjithë kryetarët e partive politike Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike. Në njësinë e 1 do të jetë Izet Mexhiti, në të dytën Afrim Gashi, ndërsa Bilal Kasami do të kryesojë listën në njësinë 6.

    Ajo që vihet re nga lista e Taravarit është fakti se në njësinë 5 nuk ka ende një kandidat dhe kjo vjen si rrjedhojë se në këtë zonë kandidon vetë kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Burime për news33.tv bëjnë me dije se në këtë qark askush nuk pranon që të udhëheqë listën dhe të qëndrojë përballë Ziadin Selës. Duke e ditur që është një garë e pamundur dhe qytetarët përkrahin liderin Sela, Taravari do të mbetët pa bartës liste.

    Theksojmë se me largimin e tij nga ASH dhe tradhtinë që i nëri njerëzve që i besuan, Taravari ka pësuar një rënie të besueshmërisë dhe këtë e tregojnë më së miri dhe anketat e zhvilluara.

    Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.