19/05/2024
Shqipëri

“Shkova i vendosa te taksia”, zbardhet dosja, ja si iu morën 100 mijë euro biznesmenit në emër të Taulant Ballës

    Është zbardhur dosja e mashtrimit të biznesmenit nga Librazhdi, Flamur Rrushi, të cilit kanë marrë 100 mijë euro duke iu prezantuar si ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

    Rrushi denoncoi në polici se është mashtruar nga një person që pretendonte se ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla.

    Sipas asaj që biznesmeni ka deklaruar më herët në Polici thuhet se një person, duke u shtirur si ministri Balla, i kishte dërguar një mesazh ku dhe i kishte thënë “jam në një dreke”, “ma mbaron një porosi”, “do kalojë një miku im andej jepja 100 mijë Euro dhe rregullohemi”. Biznesmeni i ka kthyer mesazh duke i thëne “Ok”, “të flasi me mua”. Kontakti “Taulant Balla”, i ka kthyer duke i thënë “ok po telefonon pas pak”.

    Dhe ashtu ndodhi, takimi u organizuar dhe biznesmeni i dorëzoi 100 mijë eurot një personi në një makinë, e cila rezultoi se ishte një taksi.  Mirëpo, kur kuptoi se kishte rënë pre e një mashtrimi ishte tepër vonë pasi paratë ishin dorëzuar.

    Në dosje thuhet se biznesmeni Rrushi ka deklaruar në  Polici se Ballën e ka mik familjar, por në telefon i kishte të regjistruar një tjetër numër kontakti. Me ndihmën e një të afërmi konfirmoi se numri që i shkruante në Viber dhe i kërkoi paratë, nuk i përkiste ministrit Balla. Në këtë momenti ai kuptoi se kishte rënë pre e mashtrimit.

    Policia nisi verifikimet dhe rezultoi se numri i cili kishte kontaktuar biznesmenin ishte i regjistruar në emrin e dy përdoruesve, një djali dhe një vajze.  Grupi hetimor, që i tregoi biznesmenit dy fotografitë e personave, evidentoi Kristjano Përndojin si shtetasin që ishte brenda makinës kur mori 100 mijë eurot të cilat i kishte futur në një kuti dhe më pas në një qese të bardhë.

    Përndoji ra në prangat e Policisë më 3 maj, mirëpo Prokuroria ka kërkuar lirimin e tij pasi arrestimi është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi ai nuk u kap në flagrancë por u ndalua më vonë.

    “Isha taksist, erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e pa ligjshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, deklaroi Përndoji, i cili dyshohet se është përdorur nga Florian Gjergji, “koka” e kësaj skeme mashtrimi i cili ka futur në “thesin” e tij dhjetëra biznesmenë të fuqishëm në Tiranë, disave prej tyre duke iu marrë shuma të madha parash.