06/12/2024
Femina Lajme

Muaji sensibilizues kundër Kancerit Kolorektal, çfarë është tumori i zorrës së trashë

    Marsi kudo në botë është muaj sensibilizimi kundër Kancerit Kolorektal apo tumorit të zorrës së trashë. Për të 15 vit radhazi Spitali Amerikan i bashkohet Colorectal Cancer Alliance,  në një fushatë sensibilizuese, informuese, ndërgjegjësuese, diagnostikuese për të përcjellë informacionin e duhur në popullatë për  moshat e rrezikuara, në mënyrë që sëmundja të diagnostikohet në kohë të hershme, edhe të kurohet plotësisht. Parandalimi është strategjia më e mirë e kurimit “Locus praeventioni melior quam rememdium”.

    Po çfarë është kanceri i zorrës së trashë? Sa të prekur janë shqiptarët? A ka ndikuar Pandemia në shtimin e numrit të rasteve me tumor?

    Pas njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për pandeminë globale të COVID-19 në mars 2020 dhe zhvendosjen e burimeve të kujdesit shëndetësor për kontrollin e këtij infeksioni, programet e depistimit të kancerit, veçanërisht kancerit kolorektal (CRC) u pezulluan në shumë vende të botës. Sipas të dhënave të GLOBOCAN 2020, CRC është kanceri i tretë i përhapur dhe i dyti më vdekjeprurës në botë. Ulja e depistimit të kancerit kolorektal pas pandemisë COVID-19 kryesisht, ishte për shkak të kufizimeve të vendosura për prevalencën e lartë të sëmundjes COVID-19 dhe mungesës së paraqitjes në spitale për shkak të frikës nga infektimi COVID-19.

    Një studim  gjithëpërfshirës,  në qershor 2021 në bazë të të dhënave të ndryshme,  nga  Medline, Web of Science dhe Scopus, konstatoi  se në përgjithësi, depistimi i kancerit kolorektal u  ul, nga 28 – 100% në vende të ndryshme dhe në periudha të ndryshme pas fillimit të pandemisë COVID-19. Gjatë kësaj periudhe, vetëm 2 deri në 2.5% e spitaleve dhe qendrave të depistimit me kapacitet vazhduan të funksionojnë, dhe më shumë se 77% e tyre e kufizuan aktivitetin e tyre në më pak se 10% të kapacitetit të tyre normal. Gjithashtu, studimi  i  rasteve që kërkonin kolonoskopi,  tregoi një rënie prej 65.7% te tyre,  ndërkohë kolonoskopia survejuese tregoi një rënie prej 44.6 në 79%, kolonoskopia me recetë u ul 60 – 81%, dhe referimet për  kolonoskopi treguan një rënie  totale në tërësi, prej 43%. Megjithatë, kolonoskopia urgjente tregon një rritje prej 2 deri në 9%. Përdorimi i testit imunokimik fekal (FIT) gjithashtu ishte përgjithësisht në rënie, por po rritet në zonat që përdoren si alternativë për kolonoskopinë. Kështu, shërbimet e kujdesit parandalues, duke përfshirë kontrollin e kancerit kolorektal (CRC) në sistemet shëndetësore kanë parë një rënie dramatike në mbarë botën.

    Gjithsesi mbetet për t’u parë, ndikimi i Pandemisë dhe  i infektimit me Covid-19, në rritjen apo jo të rrezikut të kancerit kolorektal në popullatë, në studime multicentrike më afatgjata në komorbititetin që ky virus pati në organizmin e njeriut,  por një gjë është e sigurt, që frika ndaj infektimit dhe mbyllja e një pjese të mirë të spitaleve, shtyrja e kolonoskopive diagnostikuese, survejuese, rikontrolluese, i detyroi pacientët të paraqiteshin  vonë në spitale për ndihmë, qoftë në diagnostikim, qoftë edhe në trajtime kirurgjikale apo onkologjike.

    Sipas Cancer Statistics, 2024, kanceret më të shpeshta të diagnostikuara te meshkujt dhe femrat në vitin 2024, jane  kanceri i prostatës, kanceri i mushkërive dhe i bronkeve (më tej i mushkërive) dhe kanceri kolorektal (CRC) , qe përbëjnë pothuajse gjysmën (48%) të të gjitha rasteve të incidentit tek meshkujt. Për gratë, kanceri i gjirit, kanceri i mushkërive dhe CRC përbëjnë 51% të të gjitha diagnozave të reja, ku vetëm kanceri i gjirit përbën 32% të rasteve.

    Normat e incidencës gjithashtu u rritën me 1%–2% çdo vit për kancerin e qafës së mitrës

    (mosha 30-44 vjeç) dhe kancerin kolorektal (mosha <55 vjeç) tek të rinjtë. Kanceri kolorektal ishte shkaku i katërt kryesor i vdekjes nga kanceri si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat më të reja se 50 vjeç në fund të viteve 1990, por tani është i pari tek meshkujt dhe i dyti tek femrat.

    Siapas Cancer Facts & Figures 2024, American Cancer Society,në vitin 2021, kanceri përbënte 17% të të gjitha vdekjeve dhe mbeti shkaku i dytë kryesor i vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës. Megjithatë, është shkaku kryesor i vdekjes tek gratë e moshës 40-79 vjeç dhe tek burrat e moshës 60-79 vjeç.CRC dhe kanceri i gjirit kryesojnë tek meshkujt dhe femrat, respektivisht, të moshës 20-49 vjeç.

    Po çfarë është Kanceri i zorrës së trashë?

    Kanceri  kolorektal është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në murin e zorrës së trashë, dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht të gjithë murin e saj, duke u përhapur lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit. Gjenetikisht është vërtetuar që kanceri i kolonit dhe ai i rektumit janë të njëjtë. Kjo ndodh për shkak të mutacioneve gjenetike kryesisht në genin APC, TGF-b, DCC,  TP53 të cilat e shndërrojnë adenomen në karcinomë. Është sëmundja e tretë më e diagnostikuar ndër sëmundjet tumorale dhe zë vendin e dytë për vdekjet nga tumori në burra dhe gratë, ndërsa kanceri anal përbën rrreth 4% të rasteve të diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë. Incidenca rritet me rritjen e moshës dhe është pak më e lartë tek meshkujt se femrat.

    Sipas Statistics at a glance, GLOBOCAN 2022, ALBANIA,  me nje popullsi prej 2 866 378 banore, numri i rasteve te reja me Kancer eshte 8019 /ne vit dhe vdekjet arijne ne 4955 paciente ne vit. Kanceri kolorectal rendidet i  katerti ne dy sekset, me 522 raste te reja ne vit, dhe 292 vdekje nga ky tumor.  Nderkohe po nga ky burim ,  sipas Statistikave Përmbledhëse 2018 / Albania  Globocan 2018, Incidenca mesatare vjetore e kancerit kolorektal  në Shqipëri,  në një popullsi në total 2.934.345 popullsi, ishte  reth 9.7 për 100.000 persona,  ndërsa në rrrethin e Tiranës, ishte 13.6 për 100.000 banore .  Kanceri Kolorektal ishte në vendin e 8 me incidence 8.4% dhe vdekshmëria 3,7%. U  konstatuan 374 me  Kancer Kolo Rektal / ne vit,  Kanceri Anal 28 raste/raste të reja,  numër total  të Kancerit Anokolorectal rrreth 402 raste të reja në vit. Ne nje aspekt kohor 4 vjecar kemi nje ritje me 120 raste te reja ne vit, cdo 2 dite, 3 persona diagnostikohen me kete tumor ne Shqiperi, dhe shtimi i rasteve ka bere qe nga vendi i 8, te kaloje ne vendin e 4 ne dy sekset, ne nje aspekt kohor 4 vjecar,  qe eshte nje alarm dhe shifer drastike ne ritje.

    Zbulimi i hershëm dhe ekzaminimi i kancerit duhet të shihet si një mjet kryesor i kujdesit shëndetësor, gjithashtu, pasi investimi në programin e screening mbron më të dobëtit në popullatë, zvogëlon barrën sociale të kancerit dhe zvogëlon të gjitha llojet e kostove të kujdesit shëndetësor, përfshirë ato për operacionin radikal, shtrimin në spital me ditëqëndrime të zgjatura, aplikimin e  kimio-radioterapisë, por dhe humbjet nga largimet nga vendet e punes.  Incidenca e CRC në Shqipëri rezulton më  e ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane, por Shqipëria duhet të aplikojë programin kombëtar të screening  për të diagnostikuar më shumë kancer të hershëm dhe për të parandaluar këtë sëmundje, para se të shkojnë në fazat e përparuara metastatike. Në vendet ku programet e screening u krijuan dy ose tre dekada më parë, u konstatuan  uljet e niveleve të vdekjeve dhe ulje të shpenzimeve që lidheshin direkt me kostot e  ndërhyrjeve kirurgjikale.  Më shumë akses në kolonoskopinë dhe zbulimin në fazën e hershme, si dhe teknikat e përmirësuara kirurgjikale, radioterapinë, kimioterapinë, imunoterapine, terapinë e personalizuar dhe kujdesin paliativ, do të kontribuojnë në uljen e numrit të vdekjeve për shkak të kancerit kolorektal.

    Rreth 72 % të rasteve i përkasin kancerit të kolonit dhe 28% atij anorektal. Rreziku i zhvillimit të këtij kanceri gjatë jetës është mesatarisht 1 (një) në 20 persona (5-6%), rreth 1;22 meshkuj dhe 1;23 femra, por kjo e fundit në fakt varet dhe nga faktorët e riskut individual.

    Parandalimi parësor është strategjia kryesore për të reduktuar barrën globale në rritje të kancerit të zorrës së trashë,  megjithatë, duhet theksuar se kanceri kolorektal, me një shkallë vdekshmërie prej 9.4%, është shkaku i dytë i vdekjes nga kanceri në botë pas kancerit të mushkërive dhe shkaku i tretë kryesor i vdekjes nga kanceri te meshkujt dhe femrat. Gjithashtu, është kanceri i tretë më i zakonshëm tek meshkujt dhe kanceri i dytë më i zakonshëm tek femrat.

    Më shumë se 1.9 milionë raste të reja  zbulohen ne vit dhe 935,000 vdekje nga ky kancer kanë ndodhur në vitin 2020, rritje e ndjeshme nga mesatarja vjetore, prandaj zbulimi i hershëm përmes ekzaminimit rutinë është gjithashtu i nevojshëm për të përmirësuar shkallën e vdekshmërisë së këtij kanceri. Meqenëse ulja dramatike e depistimit të kancerit për shkak të pandemisë Covid-19 ka pasur një ndikim të rëndësishëm në diagnostikimin e kancerit, veçanërisht kancerin e zorrës së trashë, diagnostikimin në faza të avancuara ose në fazat e mëvonshme, fillimin e vonuar të trajtimit, uljen e cilësisë së jetës dhe rritjen e vdekshmërisë, janë probleme të lidhura me pandeminë COVID-19.

    Ne parandalimin dhe zbulimin e hershëm,  përveç permiresimit  të stilit të jetesës, ekzaminimi mund të parandalojë kancerin kolorektal përmes zbulimit dhe heqjes së  polipeve  prekanceroze , dhe gjithashtu mund të zbulojë kancerin në një fazë të hershme, kur trajtimi është zakonisht më i suksesshëm. Kështu, respektimi i rregullt i ekzaminimit ose me një test të jashtëqitjes (test imunokimik fekal [FIT], test gjaku okult fekal shumë i ndjeshëm me bazë guaiac [hsFOBT], një test ADN-je të jashtëqitjes [Cologuard®]) ose ekzaminim të drejtpërdrejtë vizual si  kolonoskopia, sigmoidoskopia fleksibël ose kolonografia me tomografi të kompjuterizuarz, zvogëlojne rrezikun e incidencës së kancerit kolorektal dhe vdekjes prej tij.

    Por rreth 20% e pacientëve në kohën që diagnostikohen kanë metastaza në distance dhe  25% e tyre  kanë metastazë solitare potencialisht të rrezekueshme në mëlçi, e cila duhet të hiqet pasi e rrit mbijetesën e këtyre pacientëve. Në Shqipëri në momentin kur pacientët diagnostikohen, përqindja e tumorit metastatik është më e lartë dhe shkon mbi  50%. Kjo për faktin se pacientët vijnë vonë, nuk ka program kombëtar të screening për kancerin kolorektal, i cili është i detyrueshëm  tashme ne shume vende, jo me  mbi moshën 50 vjeç, por mbi moshem 45 vjec,  siç e kanë shumë prej vendeve të zhvilluara, dhe se konsulta për këtë kategori pacientësh akoma është tabu dhe konsiderohet e sikletshme. Sigurisht, ndikon edhe fakti që Shqipëria ka numër të pakët specialistësh të profilizuar në kirurgjinë kolorektale, të cilët kanë më tepër eksperiencë në diagnostikimin dhe trajtimin adekuat të kësaj patologjie.

    Më tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze të cilat identifikohen nga kolonoskopia, dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen deri në 60%.

    Rreth 95% e rasteve të kancerit kolorektal  janë adenokarcinoma dhe pjesa tjetër limfoma  dhe karcinoma skuamoze qelizore. Adenokarcinoma e mer origjinën nga epiteliumi glandular i mukozës së zorrës. Në varesi të arkitekturës glandulare, pleomorfizmit dhe mukosekrecionit, adenocarcinoma ka tre shkallë të diferencimit që janë; e mirë diferencuar, mesatarisht e diferencuar dhe e padiferencuar. Në zorrën e trashë  zhvillohen lloje të ndryshme polipesh por është  adenoma  që njihet si prekanceroze, ato janë të shpeshta sidomos në meshkujt mbi 50 vjeç. Nën moshën 40 vjeç, zhvillohen më pak  se 2% e kancereve të zorrës së trashë. Duhet të përjashtohet predispozicioni gjenetik i trashëguar si polipozat adenomatoze familjare, ose kancerin jopolipoz të trashëguar që është vetëm  në 4% e kancereve kolorektalë.Testet gjenetike laboratorike të gjakut janë shumë ndihmëse për të parë se cili pjesëtar i familjes është i rrrezikuar dhe  ndihmojnë në përcaktimin e riskut. Vitet e fundit konstatojmë që në Shqiperi  është rritur numri i rasteve me tumor të zorrës së trashë  nën moshat  50 vjeç,  madje dhe nën moshat 40 vjeç, sikundër  kemi diagnostikuar dhe trajtuar raste dhe nën moshat 30 vjeç.

    Nga mosha 45-75 vjeç rekomandohet të bëhet:

    Çdo vit feçe gjak okultsigmoidoskopy çdo 5 vjetkolonoskopy çdo 10 vjet. Këto ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve dhe formacioneve potencialisht displazike. Sot aplikohet dhe kolonoskopia virtuale via CT, por kjo e fundit ka kosto më të lartë, ka rrezatim nga skaneri, dhe nuk mund të bëjë polipektomitë që i realizon kolonoskopia standarde. Në rastet me rrezik të lartë ekzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjeç kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten. Shumë vende, duke parë shtimin e rasteve dhe nën moshën 50 vjeç, kanë ulur moshën e skriningut që fillon në 45 vjeç. OBSH në studimet që kanë bërë sugjerojnë që nga ekzaminimi çdo dy vjet  ose  çdo vit të feçes, pas 10 vjetësh, mund të ketë një reduktim deri në 20% në vdekshmërinë e kancerit kolorektal. Parandalimi ofron strategjinë më të sigurt dhe afatgjatë për kontrollin e kancerit. Politikat dhe programet kombëtare duhet të zbatohen për të rritur ndërgjegjësimin, për të zvogëluar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut të kancerit dhe për të siguruar që njerëzit të kenë informacionin dhe mbështetjen që ata kanë nevojë për të adoptuar mënyra jetese të shëndetshme.

     

    Shenjat dhe simptomat më të zakonshme janë gjakderdhja rektale, gjak në jashtëqitje, ndryshime në zbrazjen  e zorrëve (p.sh, kapsllëk ose diarre) ose forma e jashtëqitjes (p.sh, më e ngushtë se zakonisht), ndjenja se zorra nuk është plotësisht e zbrazur,  dhimbje barku, ulje e oreksit dhe humbje peshe. Në disa raste, kanceri shkakton humbje gjaku që nuk është e dukshme, por rezulton në anemi,  që mund të zbulohet në një test gjaku  për shkak të simptomave të tilla si dobësi, lodhje e shprehur trupore. Rritja e incidencës së kancerit kolorektal tek individët më të rinj, të cilët shpesh diagnostikohen me sëmundje të avancuar, përforcon nevojën për vlerësimin në kohë të simptomave të vazhdueshme te pacientët e të gjitha moshave. Kanceri kolorektal në fazën e hershme zakonisht nuk shkakton simptoma, prandaj shqyrtimi rast pas rasti të pacientit është kaq  shume i rëndësishëm

    Faktorët e rrezikut:

    Më shumë se gjysma (55%) e kancereve kolorektal  i atribuohen faktorëve të rrezikut potencialisht të modifikueshëm, duke përfshirë peshën e tepërt trupore, pasivitetin fizik, pirjen e duhanit afatgjatë, konsumimin e lartë të mishit të kuq ose të përpunuar, konsumimin e alkoolit të rëndë dhe konsum i ulët i kalciumit, drithërave të plota dhe fibrave. Faktorët trashëgues/gjenetikë dhe mjekësorë që rrisin rrezikun përfshijnë një histori personale ose familjare të kancerit kolorektal ose polipeve adenomatoze, disa çrregullime gjenetike të trashëguara ( sindroma e Lynch), një histori personale e sëmundjes kronike inflamatore të zorrëve (koliti ulceroz ose sëmundja e Crohn) dhe diabeti i tipit 2. Përdorimi i rregullt afatgjatë i barnave antiinflamatore josteroidale, si aspirina, zvogëlon rrezikun, por mund të ketë efekte serioze negative shëndetësore, kryesisht gjakderdhje gastrointestinale.

    Pse është rritur numri i kancerëve tek të rinjtë?

    Nuk dihet pse ka ndryshuar gjenetika, mbase stili dhe mënyra e ushqyerjes, konsumimi me tepricë i mishit të kuq dhe produkteve të zgarës, obeziteti, jeta sedentare, alkoli dhe duhani janë faktorët kontribues të këtyre tumoreve.

    – Aktiviteti fizik, faktorët dietetik, mbipesha

    Aktiviteti fizik i rregullt dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme të trupit, së bashku me një dietë të shëndetshme, zvogëlojnë dukshëm rrezikun e kancerit. Ekziston një lidhje midis mbipeshës dhe obezitetit ndaj shumë llojeve të kancerit, si ezofagut, kolorektumit, gjirit, endometrit dhe veshkave. Ushqimi i lartë në fruta dhe perime  të pasura me fibër mund të ketë një efekt mbrojtës të pavarur kundër  kancerit të zorrës së trashë. Sikundër konsumimi i mishit të kuq është akuzuar si faktor kontribues në zhvillimin e kancerit kolorektal.

    – Alkooli  është një faktor rreziku për shumë lloje të kancerit duke përfshirë kancerin e gojës, faringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektumit dhe gjirit. Rreziku i kancerit rritet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Për disa lloje të kancerit, pirja e alkoolit të rëndë të kombinuar me përdorimin e duhanit rrit ndjeshëm rreziqet e kancerit. Në vitin 2010, kanceret që i atribuohen alkoolit vlerësoheshin të jenë përgjegjës për 337.400 vdekje në mbarë botën, kryesisht në mesin e meshkujve.

    – Duhani. Në mbarë botën, përdorimi i duhanit është faktori më i madh i shmangshëm i rrezikut për vdekshmërinë e kancerit dhe vret rreth 6 milionë njerëz çdo vit, nga kanceri dhe sëmundjet e tjera. Tymi i duhanit ka më shumë se 7000 kimikate, të paktën 250 janë të njohur të jenë të dëmshme dhe më shumë se 50 janë të njohur për të shkaktuar kancer. Pirja e duhanit shkakton shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, ezofagun, laringut, gojës, fytit, veshkës, fshikëzës urinare, pankreasit, stomakut dhe qafës se mitrës.

    – Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës me kimikate kancerogjene kontribuon në ngarkesën e kancerit në nivele të ndryshme varësisht nga mjedisi gjeografik. Ndotja e ajrit në natyrë është klasifikuar si kancerogjen, për njerëzit ekspozimi ndaj kancerogjenëve gjithashtu ndodh nëpërmjet kontaminimit të ushqimit, siç janë aflatoksinat ose dioksinat. Në vendin tonë  duhet një kontroll më i rreptë ushqimor nga strukturat shtetërore mbi produktet e konsumimit nga popullata në drejtim të përdorimit brenda normave të përcaktuara nga komuniteti europian sidomos në  drejtim të përdorimit të OMGJ. Ka mendime kontraverse mbi përdorimin e tyre.

    Ka studime që lidhin rreziqet e OMGJ-ve në shëndetin e njeriut, kryesisht me çrregullime metabolike, diabeti, reaksione alergjike, komprimim të imunitetit të njeriut, rezistencë ndaj përdorimit të antibiotikëve, dhe sëmundjet tumorale. Ekspertët në vende të ndryshme mendojnë që duhet Moratorium mbi përdorimin e OMGJ-ve në bujqësi dhe industrinë ushqimore. Këshillohet  konsumimi i sa më shumë produkteve bio, fruta dhe perime, por jo gjithmonë të gjindshme nëpër markete. Ajo që duket e bukur, jo gjithmonë është e dobishme për shëndetin. Një grup shkencëtarësh nga 13 vende kanë mbështetur thirrjet për një moratorium për bllokimin  e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht pas miratimit të hulumtimeve të pabotuara që kanë ngritur frikën e rreziqeve të mundshme shëndetësore. Qeveria britanike ka qenë nën presion për të vepruar,  pas një njoftimi nga 22 shkencëtarët që hulumtimi i kryer nga Dr. Arpad Pusztai në Institutin e Kërkimeve Rowett në Aberdeen të Britanisë së Madhe,  kishte gjetur prova të ndryshimeve të sistemit imunitar dhe dëmtimit të organeve në minjtë të ushqyer me ushqim të modifikuara gjenetikisht. Eksperimentet dhe debatet në këtë pikë janë të nxehta dhe vazhdojnë në shumë vende të botës, në të dy krahët.

    Diagnoza e hershme

    Diagnoza e hershme e kancerit rrit gjasat për trajtim të suksesshëm duke u fokusuar në zbulimin e pacientëve simptomatikë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ajo ka për qëlli, ka për qëllim zvogëlimin e përqindjes së pacientëve të cilët janë diagnostikuar në fazën e vonshme dhe ajo  përmirëson rezultatet e trajtimit  duke siguruar kujdesin në fazën më të hershme të mundshme dhe prandaj është një strategji e rëndësishme e shëndetit publik në të gjitha mjediset. Pasojat e kujdesit të vonuar të kancerit mbartin   gjasat më të ulëta për mbijetesë, morbiditet më të madh të trajtimit dhe kosto më të lartë të kujdesit, duke rezultuar në vdekje të shmangshme dhe paaftësi nga kanceri. Agjensia Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin (IARC) ka arritur në përfundimin se përfitimet e depistimit me testet e përcaktuara aktualisht të bazuara në jashtëqitje (testi i gjakut okult fekal ose testi imunokimik i feceve) dhe ekzaminimet  endoskopike (sigmoidoskopia ose kolonoskopia) janë shumë të vlefshme. Prandaj, testet e jashtëqitjes, të cilat janë të lira dhe të lehta për t’u realizuar, janë më praktike në shumë zona të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Programet e screening  nuk rekomandohen në shumë vende me indeks të ulët të zhvillimit  me incidencë të ulët, kështu që këto nisma janë të pakta në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Shqipëria ende  nuk ka një program kombëtar screening  për parandalimin e kancerit kolorektal. Mbijetesa është shumë më e lartë kur kanceri kolorektal zbulohet në një fazë të hershme; sidoqoftë, më pak se gjysma e rasteve diagnostikohen herët, madje edhe në vendet e zhvilluara, kryesisht për shkak të niveleve të kontrollit suboptimal. Për shembull, vetëm rreth 40% e kancerit kolorektal diagnostikohen në një fazë të hershme në Kanada, Danimarkë dhe Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 50% e rasteve kur vijnë në spitale në Shqipëri janë tashmë faza të përparuara metastatike.

    Trajtimet moderne të kancerit kolorektal përfshijnë protokollet e trajtimit kirurgjikal, i cili realizohet me kirurgji tradicionale të hapur, laparaskopike (me sondë) dhe kirurgjinë robotike e cila është shumë efikase sidomos  në tumoret e rektumit. Trajtimit kirurgjikal i bashkangjitet trajtimi neoadjuvant (para operacionit) me kemio-radioterapi në varësi të vlerësimit bashkarisht me mjekun onkolog, dhe trajtimi postoperator me kemio-radioterapi, po përsëri në konsulencë me mjekun onkolog. Trajtimi i kancerit kolorektal është trajtim multidisiplinar, dhe përfshin disa specialistë të fushës, si kirurg, onkolog, radiolog, gastroenterolog, anatomopatolog, staf për kujdesin ndaj kolostomisë dhe rehabilitimit të pacientit etj. Shoqëria shqiptare ka nevojë për ndërgjegjësim të vazhdueshëm, informim më të gjitha burimet e informacionit, aplikimin e  planit kombëtar të kontrollit të detyrueshëm kolonoskopik se paku

    mbi moshën 50 vjeç, për parandalimin në kohë të sa më shumë rasteve potencialisht tumorale me  një kosto të rënduar financiare  si për shtetin ashtu dhe për individin, përgjatë procesit të trajtimit.

    Nderkohe ne publikimin e 17 January 2024, nga  ©  Journal of American Cancer Society, Shoqata Amerikane e Kancerit dhe Task Forca e Shërbimeve Parandaluese të SHBA rekomandojnë që individët me rrezik mesatar për kancer kolorektal të fillojnë depistimin në moshën 45 vjeçare dhe të vazhdojnë deri në moshën 75 vjeçare, me vendimmarrje më të individualizuara nga mosha 76 deri në 85 vjec. Njerëzit në rrezik të shtuar për shkak të historisë familjare të sëmundjes ose arsyeve të tjera duhet të flasin me mjekun e tyre për fillimin e diagnostikimit  më herët se mosha 45. Mbijetesa  relative 5-vjeçare për kancerin kolorektal është 64% në përgjithësi, por bie në 14% për sëmundjen në fazë të  avancuar.

    Politikat  sensibilizuese dhe parandaluese mjekësore, duhet të konsiderojnë zbatimin e disa elementeve kyç si:

     

    – Rritja e ndërgjegjësimit të publikut duke transmetuar programe edukative dhe praktike në masmedia (radio dhe televizion) për rrezikun e kancerit kolorektal, pasojat dhe rezultatet e vonesës së referimit në qendrat diagnostike nëse ka simptoma të dyshimta, si dhe përfitimet e referimit në kohë.

    – Pacientët duhet të inkurajohen të shkojnë të vizitohen në kohë tek mjeku specialist.

    – Organizimin e  fushatave për të rritur sensibilizimin kundrr kancerit kolorektal, për të rritur njohuritë dhe ndërgjegjësimin e publikut duke përdorur kapacitetet ekzistuese, duke përfshirë punonjësit e shëndetësisë, studentët e universitetit, OJQ-të dhe grupet vullnetare.

    – Zbatimi i programeve të depistimit falas ose me kosto të ulët

    Konsideroni seriozisht simptomat e Kancerit kolorektal dhe drejtohuni në qendrat e specializuara në kohën e duhur!

    Sepse sic te paret kane thene *Ad hominem “Protegas sanitas, diutius vivere” – Mbroni shëndetin, të jetoni gjatë dhe Bis vivit qui bene vivit / “Jeton dy herë ai që jeton mire”