18/05/2024
Botë Shqipëri

Hapi zjarr ndaj policisë, arrestohet shqiptari i rrezikshëm (EMRI)

    Policia greke ka vënë në pranga një shtetas shqiptar, i cili dyshohet se në 8 shkurt ka hapur zjarr ndaj efektivë të skuadrës “DIAS” të policisë greke.

    Ngjarja ndodhi në rrugën Paiania-Makropoulo, ku policia tentoi të ndalonte një automjet por drejtuesi nuk i’u bind urdhrit duke hapur zjarr. Policia u kundërpërgjigj me të shtëna por nga përplasja nuk pati dëme në njerëz.

    Ngjarja në fakt lidhej me tentativën e vjedhjes së kompanisë “ALYKON” në të njëjtën ditë, kompani e cila ishte tentuar të vidhej edhe në 13 janar. Pas ngjarjes së 8 shkurtit, pranë kompanisë polica gjeti automjetin e shtetasit shqiptar S. Sinaj, 20 vjeç dhe brenda tij patentën e babait të tij, shtetasit Andon Sinaj, 51 vjeç nga Vlora. Pikërisht tek këta shtetas u ngritën dyshimet dhe u zhvilluan hetime.

    Pas analizimit të pamjeve filmike, dëshmive dhe hetimeve të tjera të zhvilluara këtë periudhë, u arrit të identifikohej si autor i tentativës së vrasjes së efektivëve të policisë, vjedhjes dhe tentativës së vjedhjes pikërisht 51-vjeçari Andon Sinaj.