17/05/2024
Shqipëri

E bija fitoi betejën me kancerin, Dëfrim Methasani: Luna më vendosi kusht, s’donte të shfrytëzonte figurën publike për ndihmë

    Vajza e gazetarit, Defrim Methasani arriti që pas më shumë se një viti të fitonte betejën me kancerin. Methasani ditën e sotme në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, ka treguar vështirësinë, kur mësuan se vajza, Luna vuante nga kanceri.

    Ai ndër të tjera tregon edhe se vajza e tij, Luna i kishte kërkuar që mos të kërkonte ndihmë për të përballur kurimin e saj në Gjermani, pasi donte që të ishte si vajzat, apo familjet e thjeshta që po ashtu përballen me këtë sëmundje të tmerrshme.

    Gazetari po ashtu ka falënderuar vajzën për forcën që ka treguar, por edhe të gjithë ata që i janë gjendur pranë.

    Sëmundja edhe krejt papritur. Ajo ka qenë vajza më e shëndetshme nga 3 vajza që kam, por sëmundja është një gjë që vjen pa ftuar dhe janë taksirate që Zoti i sjell ndoshta edhe për të provuar njerëzit. Kjo na vuri në një test prove ne si prindër se sa jemi në gjendje për ta përballuar atë qa na ndodhi.

    Lajmi ishte i papritur, ajo pa një gjëndër në fyt dhe nga ai moment iu nënshtruar ekzaminimeve që përgjigja doli se vajza vuante nga kanceri që nuk mund ta kuronin në Shqipëri. Ne kemi mjekë duarartë dhe këtu nuk realizohej dot jo për faj të tyre. Zgjodha Gjermaninë se mbesa ime u kurua vite më parë aty. Tumori kishte përhapur metastaza dhe kjo kishte rritur vështirësitë në kurim. Morëm rrugën e vështirë por jo të pamundur drejt Gjermanisë. U zbulua dhe na morën përsipër për ta kuruar, problemi ishte edhe i financimit pasi kosto ishte shumë e lartë.

    Ajo vendosi një kusht që të mos e nxirrja në rrjetet sociale dhe të mos e kthente sëmundjen në pazar, por ta zgjidhnim me miqtë dhe njerëzit tanë. Dhe kështu bëra. Duke folur me miqtë, njëri prej tyre pa më thënë e kishte postuar dhe bërë publike. Vajza me merr nga Gjermania e alarmuar sepse nuk donte. Vajza nuk donte pasi nuk dëshironte të krijonte spekulime. Ajo tha se ti je një njeri publik dhe tregon se e zgjidh kështu, po ato familje që nuk janë publike dhe kanë fëmijët sëmurë me kancer si do e zgjidhin. Le të rrimë dhe ne si një rast si gjithë të tjerat”, u shpreh Dëfrim Met’hasani.