20/05/2024
Lajme Maqedoni

Bekim Qoku ftesë publike Ziadin Selës: Eja tek VLEN! Vendi yt është në krahun tim, aq sa vendi im në krahun tënd!

    Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosja në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, tashmë pjesë e koalicionit opozitar VLEN, ka reaguar pas deklaratës së bërë nga kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili listoi dy opsionet e forcës politike që ai drejton, t’i bashkohet ndonjërit bllok politik aktual ose të mos dalë fare në zgjedhje, pasi sipas Selës, tema e listave të përbashkëta dhe shkuarja në zgjedhje vetë, janë tema të ezauruarua.

    Përmes një postimi në “Facebook”, Qoku  fton publikisht Selën që ti bashkohet koalicionit opozitar VLEN, duke theksuar se vendi i Selës është krah tij dhe se ai  nuk i takon Frontit Europian , “fotografisë së shëmtuar”.

    “Miku im i vjetër, Ziadin Sela, e dëgjova sot deklaratën tënde, se je i detyruar të zgjidhësh mes dy blloqeve shqiptare.

    I dashur Ziadin, nëse je aty ku ke qenë, me sinqeritet të plotë të ftoj të vish tek VLEN. Ti nuk i takoni asaj fotografie të turpshme që u shpërnda dje.

     Eja tek VLEN, do ta gjesh respektin e merituar dhe nderin e duhur. E them këtë ngaqë dua të të shoh si pjesë të fitores së madhe. Aq sa njihemi, mund të them se jam thellësisht i bindur që rruga e drejtë është ajo me ne.

    Unë e di se ka argumente për ta kritikuar këtë koalicion, por nuk mund të gjej asnjë që e përligj “Frontin” e Ali Ahmetit, Artan Grubit dhe Musa Xhaferit. Ti je mbrujtur nga lënda opozitare. Vendi yt është në krahun tim, aq sa vendi im në krahun tënd.

    Të fala të sinqerta nga miku yt i vjetër, nga Bekimi i Vetëvendosjes, dhe nga VLEN!”, shkruan Qoku.