03/05/2024
Maqedoni

BDI denoncon: Qytetarët do të paguajnë katërfishin për mbeturinat!

    FATURAT PËR MBETURINAT

    Qytetarët e Tetovës, tani e tutje, do të paguajnë katërfishin e asaj që kanë paguar për mbeturinat – thonë nga BDI-Dega e Tetovës.

    Sipas tyre, kjo dëshmohet nga faturat që kanë arritur nga kompania SauberMacher tek qytetarët.

    “Siç edhe mund të shihni, qytetarët që deri tani kanë paguar nga 300 denarë, tani e tutje do të paguajnë nga 1300 denarë në muaj. Për një vit, një familje do të shpenzojë 200 euro më tepër falë vendimeve të padrejta të individëve që po udhëheqin me Komunën e Tetovës” – tha Rina Ajdari, deputete e BDI-së.

    Në sqarimin e Komunës së Tetovës thuhet se nga ky muaj për herë të parë lëshohen faturat e Ndërmarrjes së re “Saubermacher”.

    Në këto fatura, sic thuhet, janë të përfshira të gjitha shërbimet komunale.

    ”Përkundër faktit që është ndryshuar metodologjia e përllogaritjes, nuk ka rritje të çmimit për njësi. Gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar fatura më të larta se muajt e kaluar, le të drejtohen te zyrat që ndodhet tek Tregu i Gjelbërt në Tetovë si dhe në hyrje të fshatit Pallçisht, për të harmonizuar të dhënat e tyre që ndërmarrja të mund të bëj fakturimin real” – thonë nga Komuna e Tetovës.

    Nga BDI-Dega Tetovë reaguan edhe ndaj thirrjes së Komunës së Tetovës, për ankesën e qytetarëve me fatura të larta.

    Sipas tyre, vetë këshilltarët e partisë që udhëheq me Komunën e Tetovës, në Këshillin e Komunës para disa javësh votuan rritjen e çmimit të shërbimeve Komunale.

    Nga BDI-Dega Tetovë, i bëjnë thirrje publike kryetarit të Komunës së Tetovës, sic thonë, të mos u bëjnë presion dhe shantazhe qytetarëve por të merret me punët dhe obligimet që i takojnë një kryetarit të komunës.