08/12/2024
Lajme Maqedoni

Zbërthehen vrasjet e grupit malazez, i përfshirë një shqiptar dhe maqedonas

    44-vjeçari nga Lazarati, Abas Rabi, ka rënë në prangat e policisë në kuadër të një mega-operacioni ndërkombëtar të Interpolit të zhvilluar në Serbi, Greqi, Spanjë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Shqiptari, i cili rezulton një person me precedente të shumta kriminale në vendin tonë, është arrestuar në Athinë, Greqi. Në kuadër të këtij mega-operacioni ku u arrit çmontimi i organizatës kriminale që kishte përhapur “tentakulat” e saj ndërkombëtarisht, ranë në pranga edhe 10 persona të tjerë në Serbi, Spanjë dhe Greqi, ndërsa 17 të tjerë në Mal të Zi dhe Turqi.

    Gjithashtu, mësohet se në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim edhe 12 persona të tjerë të cilët dyshohet se janë pjesë e këtij rrjeti trafiku të lëndëve narkotike si dhe kanë gisht në disa ngjarje të rënda kriminale, shkruan news33

    Aplikacioni “SKY ECC”, nxori zbuluar këta persona duke zbardhur më tej dhe 4 vrasje në Athinë dhe Korfuz të anëtarëve të klanit kriminal malazez “Skaljari”. Sakaq, mësohet sipas mediave vendase se Rabi është i vetmi i arrestuar në Athinë, ku gjatë kontrollit në banesën e tij iu gjetën dhe sekuestruan një pistoletë, 2 krehër dhe 40 gëzhoja. Nga hetimet rezultoi se shqiptari mori përsipër ruajtjen e armëve dhe pajisjeve të tjera të cilat u përdorën në ekzekutimin e Igor Dedovic. Gjithashtu 44-vjeçari transportoi autorët në një zonë në Halkidiki pasi kryen atentatin, aty ku dhe jetuan deri në momentin kur u larguan nga Greqia, shkruan news33.tv

    Sipas deklaratave të bëra nga drejtori i Drejtorisë së Sigurisë greke, gjeneralmajor Fotis Duitsis vrasja e parë është kryer më 19 janar 2020 në Vari, ku katër persona hynë në një restorant dhe hapën zjarr, duke lënë të plagosur disa persona si dhe duke vrarë dy të tjerë. Sipas Duitsis vrasja e dytë ndodhi më 23 korrik të 2020, ku dy persona të tjerë malazez u gjetën të vdekur në një automjet të parkuar në zonën e Korfuzit.

    Autoritetet greke ne konference per shtyp
    Autoritetet greke ne konference per shtyp

    Ai shtoi se katër viktimat,  drejtonin  dhe mbështesnin anëtarët e një organizate kriminale, me bazë në rajonin e Malit të Zi, e cila ishte aktive në trafikun e drogës në mbarë botën. Megjithatë, në vitin 2014  organizata kriminale në fjalë, u nda në dy organizata të veçanta dhe tashmë rivale  kur humbën 200 kg kokainë në Spanjë. Kjo  bëri që katër viktimat të strehoeshin në Greqi për t’u mbrojtur nga organizata rivale , ndërkohë që banonin, duke përdorur të dhëna të rreme identiteti, në zona të Atikës, të paktën që nga viti 2019.

    VRASJET:

    Më 19 janar 2020, në tavernën “Voskopula” në Vari të Athinës, u ekzekutuan me armë Igor Dedovic nga Sllovenia dhe Stevan Stamatoviç nga Mali i Zi, të dy 43 vjeç, para familjarëve të tyre dhe gruaja e Stamatoviçit, Milena, u plagos. Autorët kanë qenë 4 persona të maskuar, të cilët kanë lënë pas 24 gëzhoja dhe 1 gëzhojë 9 mm të qëlluar nga 2 armë.

    Stevan Stamatoviç
    Stevan Stamatoviç

    Dy viktimat ishin në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet malazeze për organizim kriminal. Ata u larguan nga Mali i Zi në vitin 2017 dhe jetojnë në Greqi që nga viti 2019. Dedovic ishte kreu i grupit “Skaljari” dhe Stamatoviç i besuari i tij.

    Igor Dedovic
    Igor Dedovic

    Më datë 23.07.2020, shtetasit Alan Kozar, 43 vjeç nga Tivari i Malit të Zi dhe Damir Hadzic, 47 vjeç nga Serbia, u gjetën të vrarë brenda një automjeti “Toyota Yaris” në oborrin e një vile në Korfuz.

    Alan Kozar
    Alan Kozar

    Në vendngjarje policia gjeti 34 gëzhoja, 7 gëzhoja dhe 2 copëza metalike. Brenda automjetit policia ka gjetur një pistoletë tip “Glock” dhe një tjetër pistoletë “Glock” brenda vilës. Kozar dhe Hadzic ishin në kërkim ndërkombëtar nga Mali i Zi dhe Serbia. Të dy kishin lidhje me klanin “Skaljari”.

    Zbërthimi i bisedave të “SKY ECC” , zbardhi 4 vrasjet si dhe bëri të mundur identifikimin e pjesëtarëve të grupit kriminal, mes tyre një shqiptar dhe një kosovar e të gjithë serbë, malaze, një holandez, një boshnjak e një maqedonas.

    Si funksionoi organizata?

    Për të arritur qëllimin e tyre, ata funksionuan me një strukturë të qartë hierarkike dhe role të dallueshme, përkatësisht: një pjesë e tyre kishin marrë përsipër identifikimin dhe mbikëqyrjen e viktimave, dhënien me qira të shtëpive në zona të përshtatshme, dhënien me qira dhe furnizimin e automjeteve dhe furnizimin dhe ruajtjen e armëve dhe pajisjeve.

    Ndërsa, persona të tjerë kishin rolin e “ekzekutorëve”, duke marrë përsipër ekzekutimin e vrasjeve.

    Sipas EL.AS, pasi objektivat e tyre u identifikuan në Greqi, anëtarët e organizatës u organizuan menjëherë dhe hynë në vend, duke përdorur dokumente udhëtimi të falsifikuara si dhe duke lëvizur nëpër shtigje të kontrabandës së emigrantëve. Anëtarët kishin siguruar tashmë nga drejtuesit shuma të mëdha parash, për t’i përdorur si në veprimet përgatitore ashtu edhe për arratisjen e tyre.

    Për të shmangur identifikimin , informacioni transmetohej përmes disa personave, ndërsa u përdorën mjete dhe teknika të veçanta fshehjeje (maska, paruke, doreza, kostume zhytjeje, pastrim i mjeteve me kimikate dhe djegia e automjeteve).

    Tregues i strukturës profesionale dhe mënyrës së funksionimit të tyre, ishte lehtësia në gjetjen dhe transportimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve dhe likuiditeti i madh i parave. Sipas mediave të huaja mësohet se për rastin e Varit kërkohej një shumë prej 2.000.000 eurosh.