07/05/2024
Botë

Vullkani Etna dhuron shfaqje spektakolare për vizitorët

    Mali Etna, vullkani më i madh aktiv i Evropës, ka dhuruar një shfaqje spektakolare gjatë fundjavës, duke krijuar disa unaza nga vorbulla vullkanike.

    Unazat e vorbullës vullkanike , siç njihen nga shkencëtarët, formohen si pasojë e lëshimit të shpejtë të gazit dhe avujve nga një krater i sapoformuar.

    Boris Behncake një vullkanolog në Institutin Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë  ka thënë se ‘unazat e tymit’ duken sikur janë të bëra nga një duhanpirës i aftë.

    Më tej ai shpjegoi se unazat u formuan nga magma – shkëmbi i shkrirë me gaz – që flluskonte nën një vrimë cilindrike ku u hap në një krater që u formua në sipërfaqen e Etna-s javën e kaluar.

    Unazat e gazit përbëhen nga rreth 80 për qind avuj uji, me 20 për qind të mbetur të përbërë kryesisht nga dioksid squfuri dhe dioksid karboni, tha Behncake. Është avulli i ujit që u jep unazave ngjyrën e tyre të bardhë, duke i bërë ato të ngjajnë si unaza.

    Mali Etna shpërtheu për herë të parë rreth 500,000 vjet më parë dhe që atëherë shpesh ka mahnitur turistët dhe sicilianët.