04/11/2024
Shqipëri

TRONDITËSE/ Vijojnë kërkimet për trupin e Alma Arrazit dhe dy fëmijëve, si i jati i tregonte të bijës foton e të dashurës

    Vijojnë ende kërkimet për gjetjen e trupit të 39-vjeçares Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj të cilët dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Buna. Mësohet se kërkimet për gjetjen e tyre nga polumbarët kanë vijuar edhe përgjatë natës. Në ndihmë të polumbarëve të forcave RENEA kanë ardhur edhe peshkatarët e zonës.

    Ndërkohhë, burime pranë bluve të Shkodrës bëjnë me dije se nga kamerat, Ergys Arrazi, bashkëshorti i 39-vjeçares dhe babai fëmijëve është parë në vende të ndryshme të qytetit të Shkodrës.

    Në momentin që ai ka denoncuar familjarët e tij si të zhdukur, por edhe më herët 31-vjeçari gjatë gjithë kohës ka qenë në lëvizje.

    Kujtojmë që ditën e djeshme opinioni publik u trondit nga lajmi ku një grua dhe tre fëmijët e saj, 9, 8 dhe 3 vjeç i kishin dhënë fund jetës duke u vetëhedhur nga ura në lumin Buna. Deri më tani është gjetur trupi i vajzës së madhe të familjes, 9-vjeçares, ndërsa vijojnë kërkimet për 3 anëtarët e tjerë të familjes Arrazi.

    Policia në lidhje me ngjarjen ka arrestuar Ergys Arrazin 31 vjeç, i cili akuzohet “për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës”. Ndërkohë, më herët Policia e Shkodrës njoftoi se ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se nuk ka shenja dhune në trupin e 9-vjeçares.

    Deri më tani pista e cila po hetohet dhe që mund të ketë shtyrë gruan drejt këtij akti fatal ka qenë tradhtia e bashkëshortit të saj. Çifti thuhet se janë në proces divorci dhe se 31-vjeçari kishte nisur një tjetër lidhje dashurie. Bashkëshortja dhe nëna e fëmijëve të tij e kishte kuptuar këtë fakt së fundmi, gjë e cila dyshohet të ketë shtuar konfliktet dhe në familje. Ergys Arrazi sipas burimeve thuhet se e nxirrte live te dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës së madhe.