06/12/2024
Kosovë

Tragjedi në Kosovë/ Ish-burri shkon në qendrën sociale ku strehohej gruaja dhe e vret me armë

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme Komunën e Ferizaj në Kosovë. Autoritetet atje raportojnë se të shtëna me armë zjarri janë raportuar në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ku viktimë ka mbetur një grua dhe një person tjetër i seksit mashkull është plagosur.

    “I dyshuari pasi ka shtënë me armë zjarri është larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në ora 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Ferizaj.

    Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur provat e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të saj.

    Paraprakisht, mësohet se gruaja që ka mbetur viktimë strehohej në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj pasi ishte ndarë nga bashkëshorti, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen. Ai ka hyrë në qendër dhe ka qëlluar me armë zjarri drejt ish-gruas.

    Kryeprokurori në Ferizaj, Shukri Jashari, ka thënë për Gazetën Express se dyshohet që gruaja është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshje.

    “Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi [ish-bashkëshorti] është arrestuar”, është shprehur ai.