18/05/2024
Lajme Maqedoni

“Të përfshirë në korrupsion”/ DASH shpall “non grata” tre zyrtarë të lartë në Kosovë dhe RMV

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpallur këtë të hënë “non-grata” ish-kryeprokuroren speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, kryetarin aktual të Karposhit në Maqedoninë e Veriut, Stevço Jakimovski dhe ish-kryetarin e Kaçanikut në Kosovë, Xhabir Zharku.

    Ata janë futur në listën e zezë, pasi sipas DASH, janë përfshirë në akte korruptive dhe minimin e sundimit të ligjit dhe besimit të publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverive të tyre përkatëse.

    Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, Janeva ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale. Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj.

    Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Karposhit, Maqedonia e Veriut, Jakimovski ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar veten dhe bashkëpunëtorët e tij.

    Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij.