08/12/2024
Kosovë

Studenti shqiptar “ia plas në fytyrë” ish-ministrit serb: Keni kryer krime të tmerrshme në Kosovë, ende nuk keni kërkuar falje

    Një student shqiptar i Universitet të Cambridge në Britani ka vënë me “shpatulla pas murit” ish-ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, ndërsa ky i fundi po mbante një ligjëratë para studentëve.

    Laert Avazaj, studenti shqiptar nga Kosova, i tha në sy Jeremiçit se propaganda e sotme serbe është e njëjtë me atë të Millosheviçit, duke i kujtuar të gjitha krimet që serbët kishin kryer mbi popullsinë shqiptare në Kosovë.

     

    “Ju e nisët duke përmendur përvjetorin tuaj. Po i bashkohem punës së përvjetorëve dhe të them se këtë muaj shënohet 25- vjetori prej kohës kur 45 shqiptarë ishin marrë peng nga shtëpitë e tyre në fshatin e vogël të Reçakut dhe ishin vrarë nga trupat serbe. Në Serbinë e sotme, kjo konsiderohet teori konspirative, dhe ky është qëndrimi i shtetit serb, i atij shteti që ju i keni shërbyer dhe i të njëjtit shtet që ka vrarë 13 mijë civilë më 1998 e 1999 dhunoi mijëra gra më 1998/99 dhe i dëboi miliona shqiptarë jashtë shtëpive të tyre, përfshirë familjen time meqë ra fjala”, tha fillimisht studenti i matematikës.

    Më tej Avazaj e pyeti se pavarësisht retorikave dhe shmangieve të vazhdueshme, Serbia në asnjë moment nuk ka kërkuar publikisht falje.

    Unë nuk kam dëgjuar ndonjë kërkim-falje nga Serbia. E di se ju nuk e keni bërë një të tillë gjatë kohës si ministër i jashtëm. Dhe ju flisni për Milosheviçin si një përjashtim të rrallë: “Oh, ai ishte…diktator i çmendur, ai ishte Sadami ynë, tashmë s’kemi diçka të tillë… Epo, kjo qartazi është e pavërtetë. Sepse nëse e shihni Serbinë para Milosheviçit, për aq sa Kosova ishte e okupuar nga Serbia, planet për shfarosjen e shqiptarëve ekzistonin me Çubriloviçin, Andriçin… dhe nëse e shihni Serbinë pas Millosheviçit prej kohës kur ai vrau veten, ju keni pasur (i ndërhyhet “ai vrau çfarë?”)”, shtoi Avazaj.