22/05/2024
Lajme Maqedoni

Presidentja e parë grua në RMV, Siljanovska – Davkova sot e filloi mandatin pesëvjeçar

    Gordana Siljanovska Davkova, presidentja e parë grua e vendit, sot ka bërë deklaratën solemne para deputetëve të përbërjes së mëparshme parlamentare, pas së cilës edhe zyrtarisht filloi mandati i saj pesëvjeçar.

    Siç ishte planifikuar, sot u mbajt seanca për inaugurimin e presidentes së re në Kuvend. Presidentja ka bërë deklaratën solemne para Kuvendit, në të cilën merr përsipër të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

    Kush është dhe çfarë qëndrimesh mban presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut?

    Për herë të parë në politikë hyri në vitet e 90-ta të mileniumit të kaluar, me sugjerim të Partisë Liberale, si ministre pa portofol në Qeverinë e parë të kryeministrit të atëhershëm nga LSDM, Branko Cërvenkovski (1992-1994).

    “Hijet” që lidhen me emrin e të shoqit të saj e ndjekin që në atë kohë. Kundërshtarët e akuzojnë edhe sot se si anëtare e qeverisë së atëhershme, Siljanovska-Davkova kinse i ka mundësuar të shoqit të hyjë në biznesin Frishop përmes të cilit dyshohet se kanë fituar mijëra euro në ditë.

    Ajo u bë më aktive në vitin 2004 dhe 2005, kur doli kundër Ligjit për Organizimin Territorial i njohur si ndarja e komunave pas Marrëveshjes Kornizë, nënshkruar në Ohër në 2001 dhe që i dha fund konfliktit në Maqedoninë e Veriut. Me këtë ligj u krijuan më shumë komuna me shumicë shqiptare.

    Në vitin 2017, ajo ishte e zëshme kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili e bëri gjuhën shqipe gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Për këtë ligj, Siljanovska-Davkova tha se është antikushtetues dhe se e shkatërron frymën e Marrëveshjes Kornizë.

    Detyrat e presidentes së re

    Detyra e Presidentit të Republikës është e papajtueshme me kryerjen e një funksioni, profesioni ose pozicioni tjetër publik në një parti politike. Presidenti i Republikës gëzon imunitet. Gjykata Kushtetuese vendos heqjen e imunitetit të Presidentit me dy të tretat e shumicës së numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

    Presidenti i Republikës së Maqedonisë e cakton mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë; emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët dhe zëvendësit e Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit; merr kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë; propozon dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë; propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikan; emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë; propozon anëtarët e Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare; emëron dhe shkarkon bartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike; jep dekorata dhe mirënjohje në përputhje me ligjin; jep falje në pajtim me ligjin dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

    Presidenti i Republikës i raporton Kuvendit për çështjet e kompetencës së tij të paktën një herë në vit. Kuvendi mund t’i kërkojë Presidentit të Republikës mendim për çështje që janë në juridiksionin e tij.

    Presidenti i Republikës është Kryetari i Këshillit të Sigurisë, i cili përbëhet nga: Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Qeverisë, ministrat që drejtojnë organet e administratës shtetërore në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe punëve të jashtme dhe tre anëtarë të emëruar nga Presidenti i Republikës.

    Këshilli shqyrton çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe i bën propozime Kuvendit dhe Qeverisë.

    Presidenti i Republikës është përgjegjës për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve në ushtrimin e të drejtave dhe detyrave të tij. Procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës e fillon Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Përgjegjësia e Presidentit vendoset nga Gjykata Kushtetuese me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

    Për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, nuk ka pasur kundërshtime për KSHZ-në

    Më 11 maj, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) përmes një konferencë për shtyp i shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit. KSHZ konstatoi se presidente është zgjedhur Gordana Siljanovska Davkova me 561.000 vota, apo 309.101 vota më shumë se kundërshtari i saj, presidenti i deritanishëm Stevo Pendarovski, i cili mori 251.899 vota. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski ia dorëzoi certifikatën Gordana Siljanovska Davkovaa dhe në emër të Komisionit i uroi mandat të suksesshëm si shefe e shtetit.

    REZULTATI I ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE RMV 2024
    Rezultati i zgjedhjeve presidenciale
    Në këto zgjedhje presidenciale votuan gjithsej 861.218 qytetarë në 3,508 qendra të votimit. Pjesëmarrja këto zgjedhje ishte 47,47%. Fletëvotime të vlefshme ishin 812.899, ndërsa të pavlefshme 48.289.

    Së bashku me zgjedhjet presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare, ku nga paritë maqedonase fituese doli koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërsa nga ato shqiptare koalicioni Fronti Evropian e udhëhequr nga BDI.