18/05/2024
Lajme Maqedoni

Nesër Pashkët Ortodokse, ç’duhet të dini për këtë festë

    Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.

    ‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe, ngjyrë e cila simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

    Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.