05/05/2024
Lajme Maqedoni

LIROHET gazetari Furkan Saliu: Nuk kam sulmuar policët, ata më kanë dhunuar

    Gazetari Furkan Saliu u lirua nga stacioni policor pasi sot më herët gjatë ditës u arrestua. Sipas njoftimit të policisë, Saliu u arrestua pasi sot gjatë një ndeshjeje futbolli u përfshi në një përleshje dhe sulmoi policët. Por, Saliu thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se nëse ka bërë diçka të tillë, policia le ta dëshmojë me fakte.

    Ai tha se ngjarja e sotme nuk duhet të shihet në vendet që pretendojnë të jenë shtete demokratike, dhe trego se shenjat në duart e tij janë prej dhunës së ushtruar ndaj tij nga Njësitit të Policisë për Intervenim të Shpejtë.

    Saliu u prit me duartrokitje nga kolegët gazetarë para stacionit policor dhe sqaroi rrethanat në të cilat ndodhi rasti.

    “I gjithë rasti ndodhi për shkak se një djalosh i ri i cili qëndronte anash kur filloi rrahja, qëndronim anash duke pasur veturat si mbrojtje që mos të përfshihemi edhe ne në atë rrahje, e kapën djalin dhe filluan ta rrahin pa asnjë arsye, e nxora telefonin që ta incizoj për shkak se pa arsye filluan ta godasin, dhe e dini më pas se çka ndodhi ma kapën telefonin, mos të incizoj”, tha Saliu.

    Ai theksoi se pa prezencën e tij, në veturën e tij personale kanë bërë bastisje me qëllim që t’i fshijnë videot të arrestimit të tij dhe dhunës që e kanë përdorur ndaj tij.

    “Pa prezencën time, pa urdhër të gjykatës është hapur vetura që është në emrin tim privat, ku është gjetur arma ime, arma ka qenë me leje dhe ka qenë sipas ligjit e lënë në gepek (bagazh)”, tha Saliu.

    Ai u shpreh se nuk dëshiron të besojë se ky rast është i qëllimshëm dhe i planifikuar nga VMRODPMNE dhe se ende pa e mbaruar ai deklaratën në polici, ministri i Brendshëm që vjen nga VMRODPMNE doli me deklaratë.

    “Ministri më gjykoi me status Facebooku se kam sulmuar policë, le ta provojnë le t’i publikojnë të gjitha videot dhe le ta dëshmojnë se unë kam sulmuar policë, unë prej nesër nuk e punoj këtë punë”, tha Saliu.