30/05/2024
Kosovë

Kosova apel qytetarëve: Shmangni me çdo kusht kalimin në Serbi

    Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që janë duke udhëtuar që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër territorin e Serbisë. Kjo thirrje, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme bëhet “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”. “Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët. Thirrja vjen pasi sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se autoritetet në Serbi që nga mesnata “po mbajnë të bllokuar” së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova. Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikëkalimin kufitar Batrovci, që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. “Bllokimi i më shumë se 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.