17/05/2024
Maqedoni

“Jam i gëzuar që do bashkëpunoj me një profesor si Mickoski – kemi program fantastik me VMRO-në”, Arben Taravari intervistë për Albanian Post

    Arben Taravari, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, është shprehur se është i “gëzuar” që do të bashkëpunojë në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut me liderin nacionalist maqedonas të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, derisa ka theksuar se me këtë parti kanë një program “fantastik”.

    Këto komente, Taravari i ka bërë në një intervistë ekskluzive për “Albanian Post”, të parën pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale (24 prill), ku Taravari ishte kandidat për President të Maqedonisë së Veriut nga radhët e koalicionit “VLEN”, i cili u rendit i katërti në garë, derisa mori rreth 40 mijë vota më pak se kandidati tjetër shqiptar, Bujar Osmani, i “Frontit Evropian”

    “Për VMRO-në dhe VLEN-in ka një program fantastik që na pret përpara. Natyrisht që ka objektiva të ndërsjella dhe jam konfident që do t’i arrijmë. Jam i gëzuar të bashkëpunoj me një profesor universitar si Mickovski që ashtu si të gjithë ne do më të mirën për këtë vend”, deklaroi Taravari.