11/10/2024
Botë

Gjenden të vrarë në makinë kryebashkiakja dhe këshilltari i saj

    Kryebashkiakja më e re e Ekuadorit, Brigitte Garcia, dhe një këshilltar, u gjetën të vrarë në një makinë herët të dielën, tha policia në shtetin e Amerikës së Jugut. Ekuadori është përfshirë nga një valë dhune, për cilën autoritetet fajësojnë trafikun e drogës.

    Policia kombëtare njoftoi se po hetonte vdekjen e kryebashkiakes 27-vjeçare të qytetit San Vicente dhe këshilltarit të saj, Jairo Loor, pas zbulimit të trupave të tyre në provincën Manabi. Të dy ishin qëlluar me armë zjarri, tha policia në një deklaratë. Zonja Garcia i përkiste Partisë së Revolucionit Qytetar të ish-Presidentit Rafael Correa.

    Përmes shkrimeve në rrjetin social X, zoti Correa dhe Luisa Gonzalez, kandidatja për presidente e partisë në zgjedhjet e fundit, e quajtën vrasjen e zonjës Garcias si një atentat.

    “Sapo mora vesh se ata kishin vrarë kryebashkiaken tonë të San Vicente-s, Brigitte Garcia”, shkruante zonja Gonzalez në një postim në rrjetin social. “Nuk kam fjalë, është shokuese, askush nuk është i sigurt në Ekuador ASKUSH”.

    Zonja Garcia është figura e fundit politike që vritet në Ekuador që nga vrasja gushtin e kaluar e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio.