09/05/2024
Kosovë

Escobar takon familjen e reshterit të vrarë nga serbët, heroit Afrim Bunjaku

    Emisari amerikan Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë për të diskutuar në lidhje me vendimin për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb, Escobar mësohet se ka takuar familjen e policit i cili mbeti i vrarë gjatë sulmit në Banjskë, Afrim Bunjakut.

    Policia e Kosovës ka ndarë disa foto ku Escobar ka takuar familjen e rreshterit Afrim Bunjaku, që u vra në sulmin në Banjskë ndërsa ka shprehur ngushëllimet për humbjen e rreshterit.

    “Gjatë vizitës së Zëvendës Ndihmës Sekretarit (ZNS) Gabriel Escobar në Kosovë, ai kërkoi dhe ju dha kohë për tu takuar me të venë dhe djemtë e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, të cilët shoqëroheshin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. ZNS Escobar, në prani të Ambasadorit të SHBA-së Jeffrey Hovenier, dhe Atasheut të DOJ-ICITAP-it Kimberly Riffe, shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta familjes për humbjen tragjike të babait/bashkëshortit të tyre. Ngjarja ishte shumë emocionuese dhe e përzemërt dhe personalitetet e larta i shprehën ngushëllimet e tyre familjes dhe Policisë së Kosovës,” – thuhet në postim.

    Gjithashtu në postim është zbardhur se çfarë u diskutua mes emisarit amerikan dhe drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha.

    “Në një takim të veçantë, DP Hoxha informoi ZNS Escobarin dhe atasheun Riffe për sulmin ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku, dhe situatën aktuale të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës. ZNS Escobar vlerësoi mundësinë për të komunikuar drejtpërdrejt më kreun e Policisë së Kosovës. DP Hoxha përcolli mirënjohjen e tij të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe stafin e shumtë të ambasadës që ndihmojnë policinë dhe janë të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer.”