27/07/2024
Maqedoni

Ende pa i fitu zgjedhjet flasin për poste/ Mexhiti: Për postet ministrore ditëve në vijim!

    Izet Mexhiti as e ka konfirmuar dhe as e ka përgënjeshtruar informacionin se në Qeverinë e ardhshme do të mbajë postin e Ministrit të Brendshëm.

    Ai tha se për resorët dhe postet do të flitet më vonë.

    “Do të flasim ditëve në vijim”, tha Izet Mexhiti.

    .Gjatë ditës së djeshme Mexhiti reagoi ndaj retorikës së kandidates presidenciale të VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovskës dhe paralajmërimet e saj për Tribunal në Hagë për UÇK-në, kurse sot bëri thirrje që vendi nuk duhet të kthehet në të kaluarën.

    “Mendoj se nuk duhet të kthehemi mbrapa sepse ajo kthen të kaluarën kthen emocione. Mendoj se kemi mjaftueshëm punë për të ardhmen, për promovimin e programeve tona, ideve tona, për zhvillim ekonomik, për ta ndalë emigrimin, për ta luftuar korrupsionin, për të lëvizur drejt integrimeve. Dje ishte një reagim jo i mirë, pati një reagim konform situatës nga ana jonë, mendoj që aty e mbyllim”, tha Mexhiti.

    Mexhiti nuk ka dilema se rrethi I dytë I zgjedhjeve do të jetë vetëm një formalitet, duke u thirrur në dallimin e madh midis Siljanovskës dhe Pendarovskit. Ai tha se për rrethin e dytë do të vendosin qytetarët.