11/10/2024
Botë

“Duhet të jemi gati”, zyrtari gjerman: Rusia mund të sulmojë NATO-n

    Rusia mund të jetë gati ushtarakisht për të sulmuar vendet e NATO-s në 5 me 8 vitet e ardhshme, kështu është shprehur zyrtari i lartë ushtarak gjerman, Carsten Breuer.

    “Deri në 5 me 8 vite, bazuar në analizën tonë, Rusia do të ketë rindërtuar forcat e saj ushtarake në atë masë për të kryer sulme në territorin e NATO-s”, u tha gazetarëve zyrtari i lartë gjerman gjatë vizitës së tij në Ukrainë, shkruan Reuters.

    “Nuk po them se kjo gjë do të ndodhë, por është një mundësi”, tha zyrtari ushtarak mbrëmë vonë.

    Pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin që nga kriza e raketave kubane të vitit 1962, por Moska vazhdimisht i ka mohuar pretendimet perëndimore se mund të jetë duke e konsideruar sulmin ndaj NATO-s. Presidenti Vladimir Putin përsëriti muajin e kaluar se Rusia nuk ka plane kundër asnjë vendi të NATO-s, megjithëse ai tha se mund të rrëzojë çdo avion luftarak F-16 që Perëndimi i jep Ukrainës.

    Nga 32 anëtarët e NATO-s, gjashtë kanë kufij me Rusinë: Norvegjia, Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia.
    Rusia tani duket se po fiton gjithnjë e më shumë terren në Ukrainë, ku konflikti karakterizohet nga një luftë stilit të Luftës së Parë Botërore dhe nga lufta me dronë të teknologjisë së lartë.

    Moska aktualisht kontrollon një të pestën e territorit të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi në vitin 2014.

    “Ne shohim se Rusia prodhon shumë materiale luftarake dhe nuk e dërgon të gjithë këtë material në vijën e frontit në Ukrainë… kështu që në vitin 2029 ne duhet të jemi gati”, tha kreu i forcave të armatosura gjermane Breuer.

    Zyrtarët ukrainas e kanë vlerësuar fuqinë numerike të ushtrisë në rreth 800,000, ndërsa në dhjetor Putin urdhëroi forcat e armatosura ruse të rrisin personelin e saj me 170,000 në 1,300,000.

    Përveç personelit ushtarak, shpenzimet e mbrojtjes ushtarake të Moskës i kalojnë ato të Ukrainës. Në vitin 2024, 109 miliardë dollarë u caktuan për këtë sektor, më shumë se dyfishi i shpenzimeve të Ukrainës prej 43.8 miliardë dollarësh .