20/05/2024
Maqedoni

DETAJE TË REJA/ Nëna me fëmijët nuk u hodhën nga ura

    Vetëflijimi i nënës bashkë me tre fëmijët e mitur në Shkodër, padyshim ka tronditur mbarë opinionin publik. E ndjera Alma Arrazi bashkë me dy vajzat dhe djalin e vogël janë përcjellë për në banesën e fundit, ndërsa policia vijon hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.

    Fillimisht, organet kompetente bënë me dije se ajo bashkë me fëmijët ishin hedhur nga Ura e Bunës. Por, sot është gazetari Senad Nikshiqi që ka treguar për News 24 që policia po shqyrton një tjetër pistë për ngjarjen e rëndë.

    Ai ka zbuluar se uniformat blu dyshojnë se nëna bashkë me fëmijët nuk janë hedhur nga ura, por janë futur në lumë në këmbë. Madje është gjetur një kukull pranë urës së re ku do të jetë ekspertiza që do të caktojë nëse është e njërës prej vajzave të vogla.

    “Policia dyshon se katër personat nuk janë hedhur nga ura. Dyshohet se nëna me fëmijët janë futur në lumë në këmbë. Mendohet se ka ardhur në këmbë te ura e re. Ekspertiza do të caktojë nëse kukulla e gjetur te ura e re, i përket njërës prej vajzave Arrazi”, deklaroi gazetari Senad Nikshiqi.

    Ende nuk ka një version zyrtar për këtë ngjarje të rëndë në qytetin e Shkodrës, ku mendohet se nëna Alma Arrazi është hedhur nga ura e Bunës bashkë me tre fëmijët e mitur, Ergesa, Gresi dhe Ardit. Por, tanimë policia po shqyrton një tjetër pistë, ku dyshohet se ata janë futur në lumë në këmbë. Kjo ngjarje e rëndë pretendohet se ka ndodhur për shkak të konflikteve në çift mes Erdgys Arrazit dhe të ndjerës Alma Arrazi, që mori vendimin drastik për t’u flijuar bashkë me fëmijët.