08/12/2024
Shqipëri

Agjëruesi 12-vjeçar/ Alvini: Më lindi dëshira pasi pashë nënën dhe motrat

    Alvin Kallari është një prej fëmijëve që frekuenton më shpesh xhaminë e fshatit Qerekë në Krujë. Fëmijët nuk janë të detyruar të agjërojnë por Alvini, 12 vjeçar, agjëron prej dy vitesh.

    Tregon se dëshira i lindi teksa shihte nënën dhe motrat e tij të agjëronin gjatë muajt të Ramazanit. Teksa muaji i shenjtë për besimtarët myslimanë është drejt fundit Alvini thotë se nuk ka ndeshur vështirësi.

    Imami i xhamisë, Haxhi Gjediku thotë se rol të fortë në afrimin e fëmijëve në rrugën e besimit ka familja dhe traditat e saj. Ditët e fundit të muajit të Ramazanit, Imami tregon se janë më të rëndësishmet pasi në një nga to është edhe Nata e Kadrit, që myslimanët e cilësojnë si natën më të mirë se 1 mijë muaj.

    Teksa Alvini, është më i riu në moshë, Gani Muja, 81 vjeç, është ndër të moshuarit besnik të xhamisë së fshatit. Kujton vitin 1967 kur së bashku me të rinj të tjerë u detyruan të prishnin objektet e kultit. Xhamia e fshatit i shpëtoi shkatërrimit edhe për shkak se gjendej afër varrezave.

    Megjithatë, vështirësitë e kohës apo moshës nuk e kanë penguar. Gani Muja gjithmonë është falur në xhami edhe gjatë diktaturës në fshehtësi por edhe pandemisë, duke treguar kujdes.