27/07/2024
ShowBiz

A është ndarë me Xhensilën për të shpëtuar pasurinë? Ja si përgjigjet Bes Kallaku

    Aktori Bes Kallaku ka reaguar për herë të parë për zërat që kanë qarkulluar në disa media, se divorci mes tij dhe Xhensilës është i stisur nga vetë ata për të shpëtuar nga hetimi i pasurisë.

    Prej disa kohësh po përflitet se çifti kanë shpikur një situatë për të shmangur vëmendjen nga kjo çështje, duke u shtirur në publik sikur i kanë dhënë fund martesës së tyre nga e cila kanë edhe dy fëmijë.

    Sot i ftuar në emisionin “Pasdite” në Vizion Plus, Bes Kallaku i cilësoi haluçinacione këto deklarata, që sipas tij marrin vëmendje në media vetëm për klikime.

    “Vetëm për klikime dhe sukses, media i jep përparësi disa kuadrove dhe disa avokatëve apo disa figurave dhe personazheve që flenë me haluçinacione dhe flasin e baltosin emrin e një personi që ka 20 vite karrierë. Unë e marr problemin tim dhe e çoj në qiell, ia çoj Zotit. Është ai që vendos për gjithçka kur ti je në të drejtë tënde. Nuk kam pse merrem me gjarpërinj në tokë”, u shpreh Bes Kallaku.

    Ai foli edhe për marrëdhënien me fëmijët pas ndarjes nga Xhensila. Djali, Ameni është vetëm 6 muajsh, por me vajzën e tij, Ajkën ka një lidhje të ngushtë, gjë që e tregon shpesh edhe në rrjetet sociale.