08/11/2024
Kosovë Lajme

3 muaj pa Liridonën, i vëllai prek me fjalët: Dhimbja sa vjen e shtohet…

    Sot, bëhen tre muaj nga vrasja e Liridona Ademajt. E teksa ditët kalojnë, dhimbja dhe malli te familjarët vijon e të rritet. Së fundmi, ka qenë vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, i cili në llogarinë e tij në “Facebook”, shkruan se dhimbja sa vjen e shtohet dhe se ata i mban shpresa që drejtësia nuk do të vonojë.

    Ai shton se janë duke ndjekur me dhimbje të thellë janë duke ndjekur informacionet për gjykimet e vrasjeve të vajzave, që janë bërë me gabime që çojnë në rigjykime, apo edhe për raste kur gratë janë abuzuar fizikisht dhe dhunuesit enden të lirë ose reklamohen publikisht. Duke shpresuar se rasti i Liridonës dhe rastet e tjera të gjykohen shpejt dhe pa gabime, Leonardi shton se vrasësit e grave e kanë vendin në burg.

    “Sot tre muaj që kur se na e kanë vrarë Liridonen tonë.  Dhimbja sa vjen e shtohet e neve na mban shpresa që drejtësia nuk do të vonojë.

    Derisa e vajtojmë vajzën dhe motrën tonë, me dhimbje të thellë po i ndjekim informacionet për gjykime të vrasjeve të vajzave që janë bërë me gabime që çojnë në rigjykime apo edhe për raste kur gratë janë abuzuar fizikisht dhe dhunuesit enden të lirë ose reklamohen publikisht.

    Ne bashkëndjejme me të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre. Shpresojmë që rasti i Liridonës dhe rastet tjera do të gjykohen shpejtë dhe pa gabime.

    Vrasësit e grave e kanë vendin në burg, të mbyllur dhe larg syrit të publikut.

    Me respekt, Familja Ademaj”, shkruan ai.