22/05/2024
Lajme Maqedoni

RMV: Zgjedhjet e sotme parlamentare janë të 11-tat me radhë që nga viti 1990

    Sot për të njëmbëdhjetën herë në Maqedoninë e Veriut votohet për përbërjen e re të Kuvendit. Zgjedhjet e para në vend, në pluralizmin politik, u mbajtën në vitin 1990.


    Në atë kohë Maqedonia ishte ende pjesë e Jugosllavisë socialiste dhe votimi bëhej sipas modelit zgjedhor mazhoritar. Pjesëmarrja ishte 84.8%, dhe tema kryesore në periudhën parazgjedhore, nga 18 partitë politike që morën pjesë, ishte pavarësia e shtetit.

    Zgjedhjet e para shumëpartiake në Maqedoninë e pavarur u mbajtën në vitin 1994. 120 deputetët u votuan sipas modelit mazhoritar dhe votuesit zgjodhën mes 38 partive. Katër vjet më vonë, votimi filloi sipas modelit të kombinuar parlamentar dhe pjesëmarrja ishte 72.9%. Zgjedhjet e vitit 2002 ishin të parat të zhvilluara sipas modelit zgjedhor proporcional me gjashtë njësi zgjedhore, si tani, dhe qytetarët zgjodhën mes 33 partive.

    Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet parlamentare është regjistruar në vitin 2006 – 56%, pra 17% më pak se zgjedhjet e mëparshme. Që nga viti 2008, fillon një cikël prej katër procesesh të zgjedhjeve të njëpasnjëshme të parakohshme parlamentare. Nga zgjedhjet paraprake të parakohshme, në vitin 2011, për herë të parë numri i deputetëve e tejkaloi 120, me tre të tjerë nga listat në diasporë. Në vitin 2011 morën pjesë 18 parti dhe koalicione.

    Në vitin 2014, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe të rregullta presidenciale u organizuan në të njëjtën ditë për herë të parë. Në vitin 2016 u mbajtën zgjedhjet e para të zhvilluara nga një qeveri teknike, pas arritjes së marrëveshjes së Përzhinës. Që atëherë, votat e diasporës nuk kanë arritur të shndërrohen në mandate në Kuvend.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën në vitin 2020. Ishin parashikuar të jenë të parakohshme, por megjithatë e tejkaluan afatin për zgjedhjen e Kuvendit të ri, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sot përfundon seria e zgjedhjeve të parakohshme dhe votuesit zgjedhin mes 17 partive dhe koalicioneve në zgjedhjet e rregullta parlamentare.