27/07/2024
Botë

Qëllohet me armë kryeministri

    Kryeministri i Sllovakisë Robert Fico është qëlluar me armë. Ai u dërgua në spital me një makinë, pa pritur ardhjen e ambulancës. 59-vjeçari gjithashtu i është nënshtruar operacionit, por akoma nuk dihen detaje nga gjendja e tij.

    Lajmi është konfirmuar nga nënkryetari i parlamentit Lubos Blaha gjatë seancës parlamentare. Deri më tani një person ka përfunduar në pranga, ndërsa policia ka rrethuar vendin e ngjarjes.

    Sipas mediave të huaja atentati ndodhi pas një takimi të qeverisë sllovake në një vend jashtë Bratislavës, në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit.

    Sipas gazetarëve në vendngjarje janë dëgjuar disa të shtëna. Presidentja në largim e Sllovakisë, Zuzana Caputova tha se ishte e tronditur nga sulmi “brutal dhe i pamëshirshëm” ndaj kryeministrit dhe i uroi atij forcë për t’u rikuperuar.

    Fico u kthye në pushtet në Sllovaki pas zgjedhjeve shtatorin e kaluar, në krye të një koalicioni populist-nacionalist.