08/12/2024
Maqedoni

Ndërtimi i autostradës nga Prizreni në Tetovë, fituese të tenderit dhe dy kompani nga Shqipëria

    Ministria e Infrastrukturës në Kosovë ka shpallur kompanitë fituese të tenderit për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, të ndarë në tri lote. Janë gjithsej 20 km e 350 metra rrugë që do të ndërtohet nga tre konsorciume ose bashkime kompanish, me vlerë mbi 30 milionë euro.

    Bëhet fjalë për konsorciumet “4 A-M, PREMIUM BETON SH.P.K dhe GPG Company SH.P.K”,konsorciumin “Pricom SH.P.K, Mataf Insaat Ticaret A.S, FS CING SH.P.K dhe Jaha Solar”, si dhe koncorsiumin “EUROKOS HOLDING SH.P.K, ALFA.i, EL-BAU SH.P.K, Agim Morina B.I, N.N.SH. ËORLD MEDIUM: Adnan Bislimi B.I”.

    Newsbomb.al mëson se pjesë e konsorciumit të parë janë dy kompani shqiptare dhe një nga Prishtina. bëhet fjalë për kompaninë me bazë në Tiranë “4AM”, në pronësi të shtetasit Ardit Metaliaj, kompaninë “GPG Company SH.P.K” me adresë në Lushnjë dhe në pronësi të biznesmenit Paqsor Buzi. Kompania e tretë në grup me dy shqiptaret është “Premium Beton” me seli në Prishtinë.

    Konsoriumit të parë që përbëhet nga dy kompanitë shqiptarë dhe një kosovare, i është dhënë kontrata për Lotin 1, në vlerë prej 8 milionë euro. Shuma më e lartë është për Lotin 2, që i është dhënë konsorciumit të dytë për 15 milionë e 605 mijë e 675 euro. Ndërkohë, për Lotin 3 kontrata është në vlerë 8 milionë e 346 mijë e 804 euro.

    Për Lotin 1 dhe 3, ka pasur edhe oferta më të lira se të konsorciumeve me të cilat është rekomanduar lidhja e kontratave, por Ministria e Infrastrukturës në Kosovë ka zgjedhur pikërisht atë të përbërë nga “4 A-M, PREMIUM BETON SH.P.K dhe GPG Company SH.P.K”, shkruan newsbomb.al.

    Sipas studimit të fizibilitetit që ka bërë tashmë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI), rruga si tërësi do të jetë rreth 50 kilometra e gjatë dhe do të përfshijë një tunel prej 6.4 kilometrash. Kostoja totale e projektit parashihet të jetë rreth 200 milionë euro.

    Loti 1 parashihet të përfundojë për 255 ditë pune, Loti 2 për 425 ditë pune dhe Loti 3 për 255 ditë pune.

    Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

    “Përveç se i afron dy qytetet dhe dy shtetet tona, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës “Ibrahim Rugova””, ka deklaruar ministri Liburn Aliu.