22/05/2024
Shqipëri

Mjekët të pikëlluar, studenti që po specializohej për ortopedi ndërron jetë papritur

    Krios Beqaraj nuk do të jetë më mes kolegëve dhe pacientëve të Spitalit të Traumës. Studenti që po specializohej për t’u bërë mjek ortoped ka ndërruar jetë në moshë të re, duke lënë pas trishtim të madh.

    I riu me mantelin e bardh që i buzëqeshte kujtdo në korridoret e Spitalit Universitar të Traumës, do t’i mungojë të gjithëve, familjes, kolegëve, shokëve studentë me të cilët shkonte çdo ditë në specializim dhe pacientëve.

    Janë me dhjetëra komentet dhe mesazhet e ngushëllimit për të, nga kolegët dhe mjekët me të cilët ai qëndronte çdo ditë pranë pacientëve që paraqiteshin me trauma e politrauma.

    Institucioni ku ai po kryente specializimin për t’u bërë mjek ortoped ka ndarë pasditen e sotme lajmin e trishtë. SUT njofton se Krios Beqaraj është përcjellë këtë të enjte për në banesën e fundit, pas ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur.

    Të gjithë ata që e njihnin, kishin parë të Krios një dëshirë të madhe për të jetuar dhe vullnet për të ushtruar profesionin e ortopedit. Që pas përfundimit të studimeve, i riu kishte nisur specializimin në Spitalin Universitar të Traumës dhe kishte asistuar në dhjetëra ndërhyrje kirurgjikale.