22/05/2024
Maqedoni

Milazim Krasniqi: VMRO financohet nga Vuçiqi ndërsa VLEN ka preferenca për të!

    Mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, ka shkruar edhe analisti i mirënjohur kosovar, publicisti Milazim Krasniqi.
    Sipas tij VMRO-ja financohet nga Vuçiqi, ndërsa opozita shqiptare VLEN ka preferenca për VMRO-në maqedonase.

    “Ja disa nga zhvillimet aktuale-absurde në hapësirën tonë shqiptare: 1. Serbia ka ftuar për bojkot në veri, ndërsa disa zyrtarë tanët e paraqesin bojkotin si sukses të qeverisë sonë. 2. Qeveria e Serbisë e ka shkarkuar Shqiprim Arifin, ndërsa disa shqiptarë e quajnë Shqiprimin tradhtar. 3. VMRO-n e përkrahë dhe e financon direkt Vuçiqi, ndërsa VLEN të cilin e përkrahë direkt Kurti, ka perferenca për të. Pra, nëse VMRO e VLEN bëhen bashkë në qeverisje, i bie që SNS e LVV mund të jenë partner në qeverinë e re të Shkupit. Pse na bëjnë vaki këso absurditetesh? Sepse qytetarët mashtrohen nga propaganda agresive, më saktë nga post-truthi, siç mashtrohet demi në arenë nga një beze e kuqe në duart e toreadorit. Pra, nuk jemi në terrenin e politikës. Jemi në terrenin e post-truthit. Këtu qytetarët ende nuk janë mësuar të ecin, prandaj u mirren mendët, nuk dinë si të orientohen, rrëshqasin si në akull. Politikanët dhihen duke qeshur me ta, si marinarët me albatrosin në mol, në poezinë e Bodlerit”, ka shkruar shkrimtari i mirënjohur kosovar, Milazim Krasniqi.