Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar dje, më 7 Mars 2024, marrëveshjen e lidhur mes Qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze në kohë kur kryeministër ishte Dritan Abazoviç, për ndërtimin e urës mbi lumin Buna. Ajo do të ketë një gjatësi 200 metra dhe shkurton distancën nga 73 km në 1 kilometër.
Kuvendi i Shqipërisë e kishte votuar prej muajsh marrëveshjen me qeverinë e Malit të Zi, por për shkak të zhvillimeve politike atje ajo është ratifikuar vetëm dje, shkruan newsbomb.al.
Ish-kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka zbuluar për herë të parë sesi reagoi homologu Edi Rama kur ai i prezantoi idenë. Madje, ai thotë se Edi Rama as nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë këtë ide dhe menjëherë e pranoi.
“Takimi im i parë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u shënua nga ideja për të ndërtuar një urë mbi lumin Buna që do të lidhë Ulqinin me qytetin e parë përtej kufirit, Velipojën. Distanca aktuale prej 73 km do të zëvendësohet nga një urë prej 200 m, kështu që do të duhen rreth 15 minuta për të shkuar nga një vend në tjetrin.
Edi Rama, i cili deri atëherë nuk e njihte këtë ide dhe as ku duhej të qëndronte ura, ka mbetur disi i befasuar nga nisma konkrete, e cila nuk është karakteristikë e takimit të parë zyrtar. Megjithatë, ai pranoi menjëherë që ne duhet të fillojmë zbatimin”, shkruan Dritan Abazoviç, përcjell newsbomb.al.
Politikani dhe ish-kryeministri me origjinë shqiptare i Malit të Zi, ka treguar se prezantimi i parë publik i projektit të urës mbi lumin Buna është bërë në vitin 2022 dhe tashmë dy vite më pas, pritet të nisë puna për realizimin. Projekti është mirëpritur në të dy anët e kufirit.
“Në Samitin e Ohrit në qershor të vitit 2022, bashkërisht kemi prezantuar se si duhet të duket ura dhe më pas në seancën e përbashkët të Qeverisë së Malit të Zi dhe Shqipërisë, që u zhvillua në Podgoricë më 27 shkurt 2023, nënshkruam Marrëveshjen përfundimtare mbi ndërtimin e përbashkët të urës. Pas kësaj, ekipet punuan me zell dhe Kuvendi i Shqipërisë tashmë e votoi marrëveshjen”, vijon ai.
Dritan Abazoviç thotë se projekti i urës do të ketë një ndikim të madh pozitiv në zhvillimin e vijës bregdetare malazeze, ndërsa i shpreh mirënjohjen kryeministrit Edi Rama për mbështetjen. Ura do të ketë një ndikim shumë të madh dhe për Velipojën, pasi do të jetë porta hyrëse e turizmit shqiptar.
Ura do të jetë 200 metra e gjatë, nga bregu i Ulqinit në bregun e Velipojës dhe do të shkurtojë në mënyrë drastike distancën mes dy vendeve, shkruan newsbomb.al. Nga 73 kilometra që është aktualisht, distanca do të shkurtohet në vetëm 1 kilometër dhe më pak se 15 minuta.
“Ky projekt mund të thuhet se ka një ndikim të madh pozitiv në zhvillimin e turizmit dhe valorizimin e Velika Plazha, e cila duhet të jetë motori i turizmit në Mal të Zi. Në këtë drejtim, i detyrohem mirënjohje mikut tim Kryeministër Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe të gjithë aktorëve nga pala malazeze, qeveritarëve dhe ministrive që janë përgjegjës për këtë sukses historik”, përmbyll Dritan Abazoviç, politikan dhe ish-kryeministër me origjinë shqiptare i Malit të Zi.