27/07/2024
Lajme Maqedoni

“Makedonski albanci”, nofka e re për shqiptarët!

    Shkruan: Nedai Shaholli

    Nofka e re e komitëve për shqiptarët e posaçërisht për përtnerët e tyre të koalicionit të ardhshëm VLEN si koalicijata na “makedonskite albanci”, ka kapërcyer kufijtë e përbuzjes nacionale përmes fyerjes dhe barazimit të shqiptarëve një lloj paralele mes shqiptarëve dhe “makedonski muslimani”, të një pakice me identitet të dyshimtë kombëtar.

    Ndërkohë, trimat e VLEN-it për këtë nofkë të re të përdhosjes së identitetit tonë kombëtar nuk u ka bërë përshtypje dhe kanë reaguar, që lë të kuptosh se nofka e re e partnerëve të rinj në qeverinë e koalicionit u përshtatet dhe ngjit si nofkë me normë demokratike!

    Përderisa vlenistët nuk e kanë kundërshtuar pagëzimin e ri, duket se ky emërtim i koalicionit do të jetë shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës mes komitëve dhe “makedonski allbanci” në qeverinë e re të koalicionit.

    Kjo shfaqe e përbuzjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve para formimit të qeverisë së re nga ana e komitëve, paraqet vetëm majën e ajsbergut të mllefit dhe albanofobisë së mbledhur në dekada ndaj shqiptarëve.

    Ndaj, vlenistë apo “makedonski albanci”, kujdes me qëndrimet e komitëve me të cilët do lidhni partneritet qeverisës, ku pa filluar akoma ky partneritet interesi ata nxorrën në sipërfaqe armët e vjetra të shovinizmit, duke na njollosur në baza etnike si pakica pa identitet, me referencë kushtetuese si bashkësi gjuhësore e shifrave pa identitet të qartë kombëtar.

    Këta janë komitët e sotëm të Mickos, si vazhdim i atyre që ishin dje me Grujon, që na bënë gjëmën me fushatat represive ndëshkuese policore, si në Brodec e gjetiu ndaj shqiptarëve të bashkërenduar gjithmonë në koalicion me një parti shqiptare.

    Prandaj, vlenistë apo kushdo qofshi, kujdes me besimin e tepëruar dhe “mos ia varni ujkut mëlçitë në qafë”, sepse përderisa ujku mbetet ujk, ai duhet luftuar me mjete të duhura dhe jo duke i lëmuar bishtin si specie në zhdukje!