19/05/2024
Shqipëri

Gjendet edhe trupi i mbytur i vajzës të dytë të Alma Arrazit!

    Vajza e dytë e familjes Arrazi është gjetur në rrjedhën e lumit Buna në Shkodër. Trupi i vajzës së vogël është gjetur gjatë kërkimeve intensive që kanë nisur në vendin ku Alma Arrazi u hodh bashkë me tre fëmijët, nga shërbimet shqiptare dhe Policia malazeze.

    Polumbarët e RENEAS, Forca Kombëtare e Sigurisë Publike, njësi të Policisë së Malit të Zi dhe peshkatarët e zonës janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna.

    Alma Arrazi dyshohet se është vetëmbytur në ujërat e lumit Buna pak ditë më parë, për shkak të dhunës nga bashkëshorti dhe tradhtisë, ndërsa me vete ka marrë dhe tre fëmijët e mitur, dy vajza dhe një djalë 3 vjeçar.

    Trupi i një prej vajzave është gjetur dy ditë më parë në rrjedhën e lumit Buna nga një peshkatarë i zonës dhe menjëherë autoritetet u vunë në alarm për shkak të dyshimeve se Alma Arrazi mund të ishte vetëmytur në Bunë me tre fëmijë. Ajo kishte pak ditë që ishte larguar nga shtëpia, por askush nga të afërmit nuk kishte menduar se mund të arrite deri në atë akt vetëflijimi.