30/04/2024
Lajme Shqipëri

Fati “i zi” i 22-vjeçares, një vit më parë i vdiq i shoqi, sot lutet për rikthimin e vogëlushit të saj, ia kanë rrëmbyer gjyshërit

    Mes lotëve dhe me “zemrën në duar” 22-vjeçarja Ille Gjuni është duke kërkuar si “e marrë” djalin e saj 3-vjeçar, me sigurinë e plotë që ai ndodhet me gjyshen e tij, Bahrie Gjunin.

    Teksa jeta e ka përplasur me histori tragjike, ku vetëm një vit më parë ajo humbi bashkëshortin e saj në një aksident, tanimë duhet të përballet edhe me zhdukjen e djalit të saj të mitur.

    Në një deklaratë për mediat e reja deklaroi ditën e djeshme se pas vdekjes së të shoqit, e çonte shpesh të birin te gjyshërit, mirëpo këtë herë ata nuk e kanë kthyer më. E dëshpëruar duke pritur që të marrë në krahë fëmijën e saj të vetëm, Ilie Gjuni, lutet që vogëlushi i saj të jetë mirë dhe të kthehet sa më parë te ajo.

    Ndër të tjera, 22-vjeçarja tregoi se ish-vjehrrit nuk kanë dashur ta zgjidhin çështjen sipas ligjit, por me metoda zakonore. Ajo ka thënë se prindërit e bashkëshorti të ndjerë, pretendojnë se djali u takon atyre, me “Kanun” dhe do ta mbajnë deri sa të mbushë 18 vjeç.

    Lidhur me këtë ngjarje uniformat blu të Durrësit janë “ngritur në këmbë”, ku kanë shpallur në kërkim Bahrie Gjunin, ndërsa po mbahet në mbikëqyrje edhe gjyshi i fëmijës, Rexhep Gjuni për të cilin po hetohet nëse ka lidhje me zhdukjen e nipit të tyre.

    Pa çka se në dëshmitë e dhënë para autoriteteve, Rexhep Gjuni, ka mohuar të ketë dijeni me vendodhjen e nipit 3-vjeçar dhe bashkëshortes së tij, uniformat blu kanë dyshimet e tyre.

    Duke qenë se kjo çështje konsiderohet tejet e ndjeshme për shkak të ngjarjeve tragjike të ndodhura në familjen Gjuni, ku në shkurt të 2023 humbën njërin nga dy djemtë, policia është duke u treguar tepër e kujdesshme lidhur me trajtimin që po i jep këtij rasti.