11/10/2024
Shqipëri

Djali i Tom Doshit përplas burrë e grua në Lezhë, Policia e lejon të largohet

    Është pezulluar nga detyra paraditen e kësaj të marte shefi i Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ismet Sula, i akuzuar për shpërdorim detyre.

    Sula akuzohet se ka favorizuar djalin e ish-deputetit Tom Doshi, James Doshi, pasi ky i fundit u përfshi në një aksident.

    Ngjarja ndodhi pak javë më parë në superstradën Lezhë-Laç, pranë fshatit Gajush, ku sipas burimeve, James Doshi, teksa po lëvizte me makinë, ka përplasur një automjet ku lëviznin një çift bashkëshortësh.

    Nga hetimet ka rezultuar se djali i Doshit ka qenë fajtor, por është favorizuar nga policia, e cila nuk ka kryer veprimet konform ligjit, duke e lejuar që të marrë automjetin dhe të largohet.

    Ndërkohë mësohet se edhe struktura drejtuese e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë është vënë në hetim nga Prokuroria.

    Në funksion të këtij hetimi, organi i akuzës pritet të zbardh tabulatet telefonike mes drejtuesve dhe oficerëve të policisë për të zbardhur rolin dhe veprimet e tyre për këtë çështje, e më pas do të vendoset nëse çështja do t’i kalojë për kompetencë SPAK, apo do të mbetet në Lezhë.