27/07/2024
Shqipëri

DEL VIDEO/ “O babi të lutem ma jep automatikun, jam unë më beso”, i biri tenton të qetësojë të atin që gjuan me armë

    Qytetarët e vendit u zgjuan të tronditur mëngjesin e sotëm me lajmin e rëndë se si një 40-vjeçar në qytetin e Durrësit, po mbante peng fëmijët 6 dhe 11 vjeç dhe kishte qëlluar me kallashnikov drejt forcave RENEA.

    Pas orëve të gjata negociatash Aleks Marku u bind që të dorëzohej dhe menjëherë u dërgua në Komisariat, ndërsa dy fëmijëve të tij iu asistua menjëherë ndihma e psikologëve.

    Ndërkohë, së fundmi të tjera pamje kanë dalë nga momenti kur njëri nga fëmijët të Aleks Markut, i lutej këtij të fundit që t’i jepte armën dhe të qetësohej.

    Në videon e siguruar nga “Top Channel” 11-vjeçari dëgjohet nga ballkoni i shtëpisë teksa tenton të qetësojë të atin, kur 40-vjeçari filloi të qëllonte me armë brenda dhe jashtë banesës të cilën e kishte marrë me qira.

    “O babi të lutem, ma jep mua automatikun, më beso, jam unë. Më thuaj po apo jo”, dëgjohet t’i thotë vogëlushi të atit.

    Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se 40-vjeçari ndodhej në gjendje të dehur dhe nën efektin e lëndëve narkotike. Ai dyshohet se ka parë veten në pasqyrën e dhomës dhe i është dukur sikur persona të tjerë janë futur në banesë dhe ka nisur të qëlloi me kallashnikov.